E Martë, 3 Nëntor 2026

Ligji për zonat e mbrojtura – Banorët e Pustecit, ligji i ri zhvillim për infrastrukturën

Ndryshimi i ligjit për zonat e mbrojtura është mirëpritur nga banorët e bashkisë Pustec, për shkak se lejon zhvillimin edhe në këtë zonë e cila deri më tani ka qenë e paprekur nga ndërtimet. Sipas banorëve por edhe operatorëve turistikë për shkak të ligjit të vjetër ata nuk janë lejuar të drejtohen drejt turizmit dhe përmirësimit të infrastrukturës turistike, përfshi këtu dhe plazhet. Kiço Ago është një nga operatorët më të vjetër të zonës i cili e sheh pozitiv ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura, pasi deri në këto momente e ka pasur të pamundur zhvillimin e biznesit të tij.

“Ne jemi shumë të kënaqur me ligjin e ri, i jep një perspektiv të madhe Prespës pasi kjo zonë e bukur me këtë ligj, në emër të parkut kombëtar ishte e izoluar. Kemi 25 vjet dhe nuk lejoheshin të legalizoheshin lokalet që janë ndërtuar për të zhvilluar turizmin në Prespë”, tha operatori turistik Kico Ago.

Në të njëjtën linjë është edhe specialisti i turizmit Llazo Stojan kur thotë se ndryshimi i ligjit pritet së pari të krijojë klimën e duhur operatorëve vendas por edhe të tërheqë investitorë të huaj.

“Mund të jetë një dritë jeshile që edhe të ketë Prespa fluks investimesh. Investimet në Prespë kufizoheshin nga ligji që ishte në fuqi”, tha specialisti i turizmit, Llazo Stojan.

Bashkia e Pustecit përbëhet nga 9 fshatra me 5100 banorë ku 5 prej fshatrave lagen nga ujërat e liqenit të Prespës, fshatra të cilat janë brenda Parkut Kombëtar. Burime zyrtare bëjnë të ditur se në këto fshatra që ndodhen buzë liqenit ka 9 bujtina, hotele dhe restorante.

Gazetar: M. Marashi

/RTSH/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›