E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lin Delia, piktori i shenjtorëve të diktaturës

AGRON GJEKMARKAJ

Duke zbuluar piktorin shqiptar me famë botërore
Në ekspozitën Europa e lirë në Romë, 1976, artisti denoncon dhunën komuniste
Askush tjetër në pikturën shqiptare nuk është identifikuar aq shumë me vendin e vet dhe me mungesën e tij gjatë shekullit XIX sa Lin Delija, piktori shkodran me origjinë nga Dukagjini. Sot, emri i Delisë rri në krah të të mëdhenjve të nëntëqindës europiane, si i fundit eksplorues origjinal i artit të shenjtë. Gjithë jeta e tij ishte një dikotomi ndërmjet lirisë artistike dhe robërisë kolektive të popullit të tij, izolimit shqiptar dhe braktisjes nga ana e Perëndimit, trinisë biblike dhe njeriut të zakonshëm. Lin Delia është produkt kulturor i shkollës françeskane. I ndjeshëm dhe i ndryshëm, refuzues ndaj diktaturës, në moshë të re, në vitin 1948, arratiset nga Shqipëria. Në fillim vendoset në Jugosllavi, ku dhe vazhdon studimet në Akademinë e Zagrebit për Pikturë për ti plotësuar në atë të Romës, i tërhequr nga Ernest Koliqi, mecenat e çmues i madh i pikturës së tij. Në kohën kur piktori i ri shqiptar fillon studimet në Romë, Mafei dhe Bartoli, dy korifej të shkollës romane të pikturës, zotëronin skenën artistike të Italisë. Në pak kohë Delia bëhet studenti i përzgjedhur i tyre. Kur vite më vonë Bartoli do të vizitonte studion e ish-nxënësit të tij, do të shprehej: Mund të rrija gjithë jetën në këtë studio, thellësisht i bindur që kam gjetur në të gjithçka.

Piktori, Lin Delia

Lin Delia ka jetuar mes ekstremesh, famës dhe harresës, ekspozitave në galeritë e famshme të Romës e botës, si dhe vetmisë së vilës Mentuçia në qytezën mes malesh të Antrodokos. Antikonformisti i pakonkurrueshëm refuzon drejtimin e katedrës së Pikturës në Akademinë e Firences, në emër të një lirie pa kushte krijimi dhe jete. Pas studimeve italiane, shndërrohet shpejt në një individualitet i spikatur i ngjyrave, duke tërhequr ndjeshëm vëmendjen e ambienteve kritike të gadishullit. Shkodrani ikanak shfaqet me një përmasë jo të zakonshme intelektualizmi dhe filozofie kristiane. Origjinal dhe tronditës, duke marrë mbi vete jo pak herë mërinë e priftërinjve skematikë, sepse ai e interpreton Biblën jo si një libër të mbyllur, por si bashkëkohësi me subjekt njeriun e ditës.
Temat e tij mbartin kudo botën shqiptare dhe ngjyrat e saj. Krishti i Delisë shpeshherë merr trajtat e malësorit shqiptar, madje fytyrën e vetë piktorit. Po aq shqiptarë e të përbotshëm njëkohësisht janë edhe persekutorët e kryqëzuesit e tij. Vitet 70 shënojnë edhe kulmin e famës së tij. Është bashkëkohës me Gotuzon dhe e njohin njëri-tjetrin, por Gotuzo nga pas ka një parti të fuqishme politike me ndikim në kulturë, që është Partia Komuniste italiane dhe militanca e saj, ndërsa Delia ka vendosur të sfidojë tendencën me subjektet e tij biblike, pa kërkuar mbështetjen e Vatikanit.
Piktura e Delisë nuk është njëtematike. Portreti, peizazhi, natyrat e vdekura janë pjesë e rëndësishme e krijimtarisë së tij, gjithashtu. Por, arti i shenjtë mbetet vula e tij kryesore mbi historinë e artit. Lin Delia ekspozon në metropole si Roma, New York, Paris, Monaco, Passau (Gjermani), England, Quebec (Kanada) e në qytete të ndryshme italiane, si Breshia, Palermo, Ancona, Rieti, Aquila etj. Kritikë arti me famë botërore, si Mario Novi, Mario Rivosechi, Gianlorenzo De Carli, Franco Graciotti, Cristina Mosconi Paulini, Gualtiero Da Via, Aurelio Ragionieri, Giancarlo Modena, Ernest Koliqi, duke filluar nga viti 1963 e në vazhdim janë ndër promovuesit kryesorë të pikturës së Delisë në organet e shtypit dhe kritikës italiane, ku theksohet përdorimi i së kuqes bizantino-dalmate, kundërtendenca, fuqia shprehëse, përmasa intelektuale e filozofike, si dhe gjurmët shqiptare.
Ata që e kanë njohur nga afër rrëfejnë se Lin Delia fliste gjithmonë e kudo me krenari për Shqipërinë. Në një intervistë të vitit 1979, dhënë televizionit Raiuno, do të shprehej: Populli shqiptar është një popull martirësh, një popull që e di çfarë është vuajtja, por edhe krenaria e qëndresa. Shqiptarët janë besimtarë e të virtytshëm. Duket kështu ka menduar derisa u rikthye për të parën herë e të fundit pas 46 vitesh në Shkodër, në vitin 1994. Pakkush di për këtë vizitë. Ajo ka kaluar në heshtje dhe pavëmendje. Vëmendjen nuk e paskësh pasur kurrë qëllim në vetvete. Pas kthimit e derisa vdiq, pak muaj më vonë, nuk foli kurrë më për vendin dhe bashkëkombësit e tij. Me sa duket martirët dhe heronjtë paskëshin qenë vetëm një kujtim rinie, mësues françeskanë që tek pushkatoheshin bërtisnin Rrnoftë Shqipnia edhe pa ne.
Për ata që nuk e dinë: Delia është i vetmi piktor shqiptar, i cili është prezent në krah të Matisit në muzetë e Vatikanit, me portretin e Krishtit të kryqëzuar. Në qytetet e mëdha italiane e jo vetëm, në pinakotekat bashkiake, si në atë të Romës të Palermos, në muzeun e Breshias, në Katedralen e Azizit, në universitetin La Sapienza, në England të Kanadasë, në Monaco etj. gjenden vepra të spikatura të Delisë.
Kuratorët e ekspozitës ndërkombëtare në Passau të Gjermanisë, në vitin 2001 vendosën në krah të piktorit të madh Dali shtatë pikturat e tij mbi Mundimet e Krishtit, të cilat nga kritika janë konsideruar ndër më të realizuarat e shekullit XIX, i vetmi në krah të Salvador Dali-së.
Delia do të themelonte dy akademi pikture, njëra prej të cilave quhej Gjergj Fishta e në to mësonin artin e penelit studentë italianë, të cilët kanë mbetur gjithmonë dishepuj të mësuesit.
Ekspozita Europa e lirë
Veç trajektores së jetës artistike të piktorit Lin Delija, objekt i këtij shkrimi është një ekspozitë e veçantë, e titulluar Europa e lirë, e hapur me datë 1 -10 qershor të vitit 1976 në Romë, në Via dei Prefetti 26, krejt e panjohur për ne.
Kjo ekspozitë është një akt i madh artistik, moral e politik, duke gjykuar mbi kontekstin historik shqiptar dhe atë artistik në Itali. Në të Delia shfaqet si një piktor i angazhuar intelektualisht e politikisht, me aspiratë denoncimin e diktaturës në Shqipëri dhe sensibilizimin e ambienteve romane si kërkesë për ndihmë.
Italia dhe piktura për Delinë nuk janë një shkretëtirë arratie për ti ikur realitetit që ai bart mbi vete që nga viti 1948, përkundrazi, një tribunë sublime shprehjeje. Tek Europa e lirë dukshëm ndihet ironia për konceptin, pasi gjysma e saj ishte nën perden e hekurt, Shqipëria gjithashtu. Ai nuk e transformon realitetin shqiptar, por e shfaq në përmasën e tij tragjike. Nuk i rrëshqet atij në emër të kozmopolitizmit dhe modës së ditës, sepse për të piktura është jeta, jeta është realiteti social dhe njeriu është e vetmja masë e saj, kur ai mbetet vetvetja. Vetvetja kërkon konsekuencë morale. Rrëfim të asaj që nuk është në modë, d.m.th., tiraninë e një vendi të vogël e të izoluar, pa të cilin nuk bën dot.
Vepra e parë që hap këtë ekspozitë të vitit 1976 është edhe kujtimi i fundit i arratisë, priftërinjtë, mësuesit e pushkatuar te çinaret e Rrmajit. Ky perceptim quhet Martiri, në të cilin paraqiten disa njerëz të gjymtuar mbi paterica, tek shohin një prift katolik të pushkatuar pranë një muri, ku është shkruar Rroftë Shqipnia, Poshtë klyshtë e Rusisë.
E dyta gjithashtu ka diçiturë tronditëse Pushkatimi, një malësor me sytë nga qielli, i pacenuar në krenari nga vdekja e afërt, në kërkim të jetës së pasosun përballë skuadrës së plotonit. Tjetra, po aq, Internimi, në të cilën shfaqet një mase e madhe njerëzish, një popull i tërë rrethuar nga ushtarë të armatosur drejt një fati të panjohur e tragjik. Varja në litar është dhimbja epike e malësorit që vdes i panënshtruar.
Zoja e Shkodrës, paqësore e shpresëdhënëse me një kërthi në prehër në mes të kalvarit shqiptar dhe menjëherë pas saj,

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›