Lindi 5.6 kg/ Everest, foshnja shqiptare që habiti Italinë, ja arsyet

Një lindje e pazakontë, një histori familjare që tërheq vëmendjen dhe një emër që nuk kaloi pa u komentuar në Itali. Everest Zenelaj, foshnja shqiptare që erdhi në jetë me peshën e jashtëzakonshme prej 5.6 kilogramësh, është kthyer në lajm në mediat italiane.
Nëna e tij, 34-vjeçarja Xhurxhina Zenelaj, e solli në jetë me lindje natyrale, pa epidural, më 6 tetor, një ditë përpara datës kur kishte planifikuar lindjen me operacion. Çifti shqiptar, Seri dhe Xhurxhina, tregon se shtatzënia kishte qenë e qetë, pa komplikacione të veçanta.
Vetëm në muajin e fundit, Xhurxhina kishte ndier më shumë lodhje dhe kishte shtuar ndjeshëm në peshë. Pavarësisht kontrolleve të vazhdueshme, pesha reale e bebit nuk ishte parashikuar.
Por ardhja e Everestit nuk ishte surpriza e vetme për familjen.
Ai është fëmija i tretë i çiftit, pas dy vajzave, Jerusalema Sheila dhe Uendi, të cilat gjithashtu kishin lindur me peshë rreth 4.5 kilogramë. Madje, edhe gjyshi i vogëlushit kishte ardhur në jetë me një peshë të pazakontë, rreth 6 kilogramë.
Emrin Everest, prindërit e kishin vendosur vetëm dy javë përpara lindjes, pa e ditur se ai do të bëhej pjesë e një historie që do të flitej gjerësisht. Përveç habisë për peshën e foshnjës, në mediat sociale italiane pati edhe komente për emrin e tij.
Por pas lajmit dhe reagimeve, qëndron historia e një familjeje shqiptare që prej vitit 2004 ka ndërtuar jetën në Itali. Seri është nga Tepelena, ndërsa Xhurxhina nga Gjirokastra.
Ai punon në fushën e qeramikës, ndërsa ajo i është përkushtuar rritjes së tre fëmijëve. Sot, në shtëpinë e tyre ka një arsye më shumë për të festuar: ardhjen në jetë të Everestit, vogëlushit që mbërriti duke surprizuar të gjithë./abcnews.al