E Diel, 1 Nëntor 2026

Linjat u aprovuan, por nuk funksionuan!

Ka dy vjet që janë aprovuar nga Kuvendi Komunal kërkesat e disa këshilltarëve për shtimin e dy linjave të reja të transportit urban , asaj nga lagjja “Kodra e Trimave” deri te ish objekti i shkollës së mesme “Eqrem Çabej”, dhe shtimin e një linje tjetër nga “Kodra e Diellit”,duke kaluar kështu në lagjen e “Muhaxherëve”, mbas Teatrit e deri në Gërmi”,por ato kanë rënë në harresë.

Aziz Pacolli, shef i grupit parlamentar të AKR-së, tha se shtimi i linjës nga “Kodra e Trimave”, e deri te ish objekti i shkollës “Eqrem Çabej” përgjatë rrugës për Gërmi, është shumë i domosdoshëm.

“Kjo kërkesë të cilën e pata propozuar në emër të qytetarëve,është aprovuar qe dy vite por ende nuk është bërë asgjë konkretisht.. Një gjë dihet, që kërkesat që aprovohen nga Kuvendi, duhet të funksionalizohen nga organi kompetent këtë rast “Trafiku Urban ”, tha ai. E ankesën për mos shtimin edhe të një linje tjetër e shprehu në mbledhjen e fundit edhe këshilltari Shefqet Sylejmani,nga AAK, shkruan Zëri.

“Shtimi i linjës nga lagjja “Kodra e Diellit”, lagjes së “Muhaxherëve, duke kaluar prapa Teatrit e deri në Gërmi,është linjë e domosdoshme. Deri më tash banorët e lagjes “Kodra e Diellit”, nëse kanë pasur të shkojnë ta zëmë te tregu i gjelbër,është dashur të udhëtojnë me linjën katër dhe të humbasin shumë kohë në autobus, pasi ai ka përshkuar rrugë të gjatë rreth e rreth Prishtinës, përderisa me linjën e re do të ishte shumë më shkurt..”, tha Sylejmani.

Zyrtarë nga ndërmarrja “Trafiku Urban” thonë se me blerjen e autobusëve të rinj, nga mjetet e ndara prej dy milionë eurove, do të shikohet mundësia e shtimit të këtyre dy linjave të reja.

“Me blerjen e autobusëve merret Komuna, jo “Trafiku Urban” dhe besoj që me shtimin e autobusëve do të shtohen edhe linjat e reja”, deklaroi Kujtim Berbatovci, zyrtarë nga ndërmarrja “Trafiku Urban”. Ai u rikujtoi qytetarëve të lagjes “Kodra e Trimave”, të cilëve u bie shpesh ta përshkojnë rrugën nga lagjja e tyre për në Germi, se mund të kenë lehtësira edhe pa shtimin e kësaj linje.

”Ata që përshkojnë çdo ditë këtë rrugë, mund të pajisen me biletë mujore dhe të udhëtojnë me autobusë të “Trafikut Urban” , numër tre dhe katër. E atyre që rrallë e frekuentojnë këtë rrugë, asgjë nuk do t’u kushtonte të paguajnë dy bileta për të dy autobusët”, mendon ai.

Sa u përket dy milionë eurove që janë ndarë për blerjen e autobusëve, zëdhënësi komunal, Asdren Osaj, tha se së shpejti do të hapet tenderi .

“Janë duke u përgatitur procedurat e dokumentacionit dhe ato do t’i dërgohen Zyrës së Prokurimit, për hapjen e tenderit”, tha zëdhënësi Osaj, duke mos dhënë arsyetime tjera pse janë vonuar deri më tash këto procedura, pasi që mjetet janë ndarë muaj më parë./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›