E Diel, 1 Nëntor 2026

Liqeni Artificial i Tiranës plot gjallëri, fëmijët shijojnë shëtitjet në park

TIRANË, 1 maj /ATSH/ Liqeni Artificial i Tiranës vijon të mbetet një nga hapësirat më të frekuentuara dhe më tërheqëse të kryeqytetit, duke ofruar një peizazh magjepsës dhe hapësira çlodhëse për qytetarët.

Në këto ditë të ngrohta pranverore, shëtitoret dhe rrugët e parkut përreth liqenit janë mbushur me qytetarë të shumtë që zgjedhin të kalojnë kohën mes natyrës.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale një video ku shfaqen fëmijë të shoqëruar nga mësueset e tyre, teksa argëtohen dhe luajnë përgjatë hapësirave të gjelbëruara të parkut.

Parku i Madh përbën masivin më të madh të gjelbërimit në Tiranë dhe shërben si një hapësirë multifunksionale për pushim, argëtim dhe aktivitete fizike në natyrë për të gjitha grupmoshat.

Ai ofron mundësi për ecje, vrap, çlodhje dhe aktivitete rekreative në një ambient të qetë dhe të gjelbëruar.

Nga pikëpamja gjeografike, parku shtrihet në një zonë kodrinore me pjerrësi të butë, ndërsa në pjesën jugore të tij ndodhet pasqyra ujore e liqenit artificial. Shtrirja e liqenit krijon gjire dhe gadishuj të vegjël, duke e bërë zonën veçanërisht piktoreske.

Ndërtimi i Parkut të Madh të Liqenit nisi në vitet ’50. Në vitin 1955 u krijua liqeni artificial nga ujërat përreth, si dhe u ndërtua me punë vullnetare një digë rreth 400 metra e gjatë, e cila shërben për të parandaluar vërshimin e ujërave drejt qytetit.

Në vitet 1957-1958 vijoi mbjellja e bimësisë dekorative dhe ndërtimi i infrastrukturës së parkut, duke e kthyer atë gradualisht në një nga hapësirat më të rëndësishme publike të kryeqytetit.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›