Liri Belishova: Si e eliminoi Enveri Ymer Dishnicën

Liri Belishova duke rrëfyer për Panorama
Firmëtari i Mukjes që u eliminua nga Enveri
Historia e njërit prej liderëve të lëvizjes NÇL, që pas lufte u zhduk nga politika, por su vra
Pabesitë, prapaskenat dhe viktimat e Marrëveshjes së Mukjes ishin kryefjala e përshpirtjes me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Ymer Dishnicës. I sakrifikuar për paktin e nënshkruar në Mukje, ai, komunisti i orëve të para, antifashisti i palëkundur, intelektuali emblematik, politikani gjithëpërfshirës, humanisti i shquar, u shpall i papërshtatshëm dhe u mënjanua deri në izolim të plotë. Mjaft nga të pranishmit në përkujtimoren e zhvilluar dje në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, bashkëkohës, familjarë, miq e të njohur të Dishnisës, sollën kujtime e mbresa të shumta nga jeta pa hije e tij. Në dokumentarin e përgatitur me këtë rast ishin zgjedhur momentet më të rëndësishme nga jeta dhe veprimtaria e firmëtarit të Mukjes, që fill pas luftës u zhduk nga jeta politike, për të mbetur konsekuent i profesionit të mjekut dhe idealeve të tij për lirinë. Për numrin e sotëm kemi zgjedhur kujtimet e Liri Belishovës, njërës prej figurave historike të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, njëherazi viktimë e persekucionit komunist dhe refleksionet e profesor Muharrem Dezhgiut mbi të vërtetat e doktor Dishnicës… af.im
Është një koincidencë e bukur që 100-vjetori i lindjes së dr. Ymer Dishnicës përkon me 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Dr. Dishnica ka lozur rol të rëndësishëm në luftën kundër okupatorëve fashistë në sajë të personalitetit të tij të shquar, si bir i një familjeje të dëgjuar atdhetare, që i ka dhënë Shqipërisë 5 dëshmorë. Ymeri ishte patriot i flaktë, që mbi çdo gjë vinte interesat e Shqipërisë. Ai ishte një nga intelektualët më të respektuar të kohës, që kishte kryer shkëlqyeshëm Liceun Francez të Korçës dhe pastaj për 8 vjet në Francë ishte diplomuar dhe specializuar si mjek me kualifikim të lartë dhe njëkohësisht kishte përfituar për tu njohur me filozofinë dhe doktrinat politike, me demokracinë franceze, me letërsinë dhe përgjithësisht kulturën e këtij vendi. Ai kishte fituar eksperiencë në veprimtarinë politike, ishte zgjedhur kryetar i Komitetit Antifashist të Emigrantëve Shqiptarë dhe ishte shumë aktiv në organizimin e veprimtarive politike e antifashiste. Të gjitha këto bënin që dr. Dishnica të gëzonte shumë autoritet dhe simpati, të tërhiqte në luftë masat, por edhe mjaft intelektualë e nacionalistë që e respektonin dhe ia dëgjonin fjalën e mençur. Ndihmoi në organizimin e rezistencë ilegale dhe në formimin e reparteve partizane, por sidomos lozi rol të rëndësishëm në organet e larta antifashiste dhe të PK që të jepeshin orientime të drejta politike. Veçanërisht e ndihmoi luftën si orator dhe publicist i shkëlqyer dhe shumë aktiv.
Dy ngjarje të rëndësishme të Luftës Antifashiste, Konferenca e Pezës dhe Marrëveshja e Mukjes, tregojnë më së miri kush ishte Ymer Dishnica, tregojnë se ai e konsideronte bashkëpunimin e të gjitha forcave antifashiste të domosdoshme për të luftuar okupatorët. Konferenca e Pezës, 16 shtator 1942, aprovoi platformën e drejtë të bashkimit të të gjithë shqiptarëve në luftë për një Shqipëri të pavarur, demokratike, të bashkuar (etnike). Merita kryesore për organizimin e kësaj Konference u takon doktor Dishnicës dhe Koço Tashkos, Mustafa Gjinishit, Nako Spirut. Enver Hoxha ka shkruar vetë se ai ka shkuar në Pezë në vigjilje të hapjes së Konferencës dhe i gjeti të gjitha gati, edhe referatin e tij. Edhe rezolucionin e Konferencës e kanë shkruar Ymer Dishnica e Nako Spiru.
Dr. Dishnica meriton lavdërimet më të larta, që si kryetar i delegacionit të Frontit Nacional-Çlirimtar arriti marrëveshjen me Ballin Kombëtar në Mukje në fillim të gushtit 1943. Vendimet e marra këtu (luftë imediate e me të gjitha fuqitë kundër okupatorëve për një Shqipëri të pavarur, demokratike, etnike në bazë të vetëvendosjes dhe krijimi i Komitetit të Shpëtimit) ishin shumë të drejta për luftën pas çlirimit. Dr. Dishnica u dëshmua këtu jo vetëm si patriot i vendosur që vë mbi çdo gjë lirinë e Shqipërisë e të Kosovës, por edhe si demokrat për një pushtet pluralist e jo për diktaturë. Por, sipas urdhrave të Miladinit, Enver Hoxha e anuloi Marrëveshjen e Mukjes, sepse donte gjithë pushtetin në dorën e PKSH (të tijin), dhe pse duke iu nënshtruar jugosllavëve, sakrifikoi Kosovën dhe territoret e saj shqiptare në Jugosllavi. Pas Mukjes, PKSH-ja e zhvilloi luftën në dy fronte: vazhdoi luftën kundër forcave jokomuniste për të vendosur diktaturën e saj. Kjo e bëri fitoren mbi okupatorët të hidhur, se në vend të demokracisë u vendos diktatura.
Dr. Dishinca u dënua në mbledhjen e Vithkuqit, ku Milidani dhe Enver Hoxha kërkuan dënimin me vdekje të Ymer Dishnicës dhe Mustafa Gjinishit, por pas ndërhyrjes energjike të Nako Spirut, u vendos të përjashtohej nga Byroja dhe KQ. Duke marrë parasysh popullaritetin që gëzonte Ymer Dishnica, e mbajtën formalisht si anëtar të Shtabit të

Ymer Dishnica në vitet e Luftës
Përgjithshëm dhe të Këshillit të Përgjithshëm Antifashist, madje në qeverinë e parë e caktuan ministër të Shëndetësisë. Por kjo nuk vazhdoi shumë. Në vitin 1946, pas dënimit të mikut të tij, Sejfulla Malëshovës, u kritikua rëndë për oportunizëm dhe pas likuidimit tragjik të Nako Spirut, mikut tjetër, e syrgjynosën bashkë me familjen në Berat. Mirëpo as kjo nuk i mjaftoi Enver Hoxhës. Në vitin 1955 e dënuan me 6 vjet burg për agjitacion e propagandë. Në Berat qëndroi deri në përmbysjen e diktaturës, duke mjekuar me përkushtim mijëra të sëmurë.
Dihet se Ymer Dishnica ka qenë komunist përpara se të themelohej PKSH. Gjatë viteve që jetoi në Francë ishte anëtar i Partisë Komuniste Franceze. Por çlloj komunisti ka qenë Ymeri, do të mjaftonte të bëjmë pyetjen: përse Miladin Popoviçi nuk preferoi një personalitet si dr. Dishinca, po Enver Hoxhën që skishte kryer asnjë vit universitet dhe që (siç shkruan vet) deri në formimin e PKSH kishte qenë vetëm simpatizant i Grupit të Korçës?! Pse dr. Dishinca e pati të shkurtër jetën në PKSH dhe për afër 50 vjet u persekutua? Sepse ai kurrë nuk do tu nënshtrohej shovinistëve jugosllavë, kurrë nuk do të vinte interesat e kolltukut përpara interesave të Shqipërisë, siç veproi Enver Hoxha, kurrë nuk do të ishte bërë diktator i përgjakshëm si Enver Hoxha.
Dr. Dishnica ishte idealist, patriot, antifashist, demokrat e human, intelektual i formuar me kulturën përparimtare europiane dhe e lidhi me komunizmin iluzioni se kjo ishte rruga më e mirë për të bërë Shqipërinë vend të lirë e të përparuar. E gjithë veprimtaria e Dishnicës është pozitive, në interes të Luftës Antifashiste dhe Shqipërisë. Ai nuk ka përgjegjësi për politikën e mbrapsht të krimit e diktaturës enveriste, sepse ai u dënua menjëherë pas Mukjes.
Përkundrazi, ka disa dokumente që vërtetojnë se ai bashkë me Nako Spirun dhe Gogo Nushin, kanë refuzuar të zbatojnë urdhrat e Enver Hoxhës për të pushkatuar intelektualë të pafajshëm, antifashistë, madje komunistë.
Konsekuent i idealeve të tij, dr. Dishnica nuk mund të mos mbështeste me të gjitha mundësitë përmbysjen e diktaturës dhe futjen e Shqipërisë në rrugën e zhvillimit demokratik dhe të integrimit euroatlantik. Ne jemi shumë krenarë që kryetari i parë i Organizatës së Ba