“Liria ka emër”, shqiptarët bashkohen në Tiranë për UÇK-në. Gucati: Në Hagë po dënohet kombi shqiptar. Hajdari: Protesta s’ka ngjyrë politike

Një protestë mbarëkombëtare me moton “Liria ka emër” do të zhvillohet më 17 tetor në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në mbështetje të ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë.
I ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, Hysni Gucati, veteran i UÇK-së dhe një nga organizatorët kryesorë të protestës, theksoi se zgjedhja e Tiranës është simbolike për mirënjohjen ndaj Shqipërisë që hapi dyert për refugjatët gjatë luftës së Kosovës.
Ai tha se në protestë do të mbajnë fjalë ish-presidenti Alfred Moisiu dhe lideri i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmeti, ndërsa qëllimi është që të dërgohet një mesazh uniteti dhe dinjiteti kombëtar.
“Ka shumë arsye pse zgjodhëm Tiranën. Në viteve 90 na hapi dyert për të gjithë refugjatët që ikën prej luftës, të cilët gjetën strehim në Shqipëri. Nesër do të ketë shumë nga strukturat e larta si të Kosovës dhe Shqipërisë dhe kemi ftuar të gjithë partitë politike, protesta nuk ka karakter politik por karakter kombëtar. Nëse ata në Hagë janë kriminel, atëherë në jemi kriminel të gjithë ne që ndihmuan për çlirimin e vendit. Për atë gjykatë do të thotë që edhe qytetarët janë kriminel. Kjo protestë është gjithëkombëtare për një kauzë shumë të madhe të kombit. Do të mbajnë një fjalë ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, lideri i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmeti. Nuk do të ketë fjalime politike dhe presim një numër të madh të qytetarëve”, tha Gucati.
Sa i përket procesit gjyqësor në Hagë, Gucati e konsideroi atë “politik dhe të njëanshëm”
“Më 22 dhjetor përmbyllet gjithçka. Ajo gjykatë nuk po dënon vetëm ish-luftëtarët e UÇK-së, por gjithë kombin shqiptar. Në një kohë kur ndaj shqiptarëve janë kryer masakra të tmerrshme nga forcat serbe, sot dënohen ata që mbrojtën shtëpinë dhe atdheun. Ky është një turp i madh”, tha Gucati.
Edhe Shkëlqim Hajdari, koordinator i tubimit në Tiranë, u shpreh se protestën e kanë zgjedhur të zhvillohet në kryeqytetin shqiptar vetë luftëtarët e UÇK-së, pas dy protestave të mëparshme në Prishtinë dhe Hagë. Ai tha se Protesta nuk ka karakter politik, por kombëtar.
“E kanë zgjedhur Tiranë luftëtarët e UCK-së, është protesta e tretë pas Prishtinës dhe Hagës dhe radha i erdhi dhe kryeqytetit të Shqipërisë. Është quajtur mbarëkombëtare pasi Tirana përfaqëson të gjithë trojet shqiptare jashtë kufijve shtetëror dhe do jetë një obligim shumë i madh për ne që të dalim masivisht në këtë protestë është minimumi që mund të bëjmë. Protesta do jetë një model, për mesazhet që do jepen, kauzat që do përcjellë kjo protestë dhe për herë të parë trojet jashtë Shqipërisë i bashkon një kauzë jo politike për herë të parë. Jemi munduar që këtë protestë të mos e politizojmë dhe kjo organizohet nga luftëtarët e UÇK-së. Gjithçka nesër lidhet me sheshin Skëndërbej dhe ky shesh nesër do tregojë qartësisht se gabime ka pasur me fillimin e gjyqit dhe në të gjitha dëshmitë e dhëna kanë deklaruar të gjithë në favor të personave në gjykim dhe nuk ka mbetur më asnjë dyshim për çdo njeri që sy dhe vesh dhe nuk ngatërron luftën e drejtë me diferencat politike si në Shqipëri dhe Kosovë. Mendohet se kjo protestë duhet të vijojë në Shkup. Ka dy ndeshje, një që luftën në tavolinë dhe një në fushë. Ne në fushë kemi qenë dinjitoz kemi mbrojtur fëmijët tanë në Kosovë dhe kemi qenë të kujdesshëm që të mos kryenim gjenocid”, tha Hajdari.
Protesta mbarëkombëtare në mbështetje të ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë do të zhvillohet më 17 tetor, në orën 17:00, në sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Qëllimi i tubimit është shprehja e solidaritetit me ish-krerët e UÇK-së që po përballen me drejtësinë ndërkombëtare, dhe kundërshtimi i asaj që e konsiderojnë padrejtësi në proceset gjyqësore në Hagë.
/rtsh.al/