E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirimi i 13 pengjeve zbut klimen Iran-SHBA

Shpëtimi i 13 peshkatarëve iranianë që ishin marrë peng nga piratët somalezë në Detin e Arabisë, prej marinarëve amerikanë, duket se ka ndikuar në zbutjen e toneve nga Teherani zyrtar.

Ministria e Jashtme iraniane ka përshëndetur operacionin e flotës amerikane duke e cilësuar atë si një gjest humanitar.

“Vlerësojmë operacionin e forcave amerikane dhe e përshëndesim atë për shpëtimin e 13 jetëve të peshkatarëve iranianë”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Ramin Mehmanparast.

Mediat iraniane dhe autoritetet zyrtare fillimisht hezituan të komentojnë lajmin e publikuar ditën e premte nga Pentagoni. Kjo, thanë autoritetet ishte për shkak se Teherani duhej të sigurohej për vërtetësinë e tij.

13 peshkatarët iranianë, mbaheshin peng në anijen e tyre nga një grup prej 15 piratësh, që dyshohet se janë somalezë, prej më shumë se 40 ditësh.

Rasti në fjalë, i ka shërbyer Pentagonit si një tjetër justifikim se pse luftëanijet amerikane duhet të patrullojnë në këto ujëra dhe në Gjirin Persik. 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›