E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lirimi i hapësirave publike, Rama: Do rikthehen me projekte të reja komunitare, 100 arkitektë po kontribuojnë me projekt-ide

Kryeministri Edi Rama ka publikuar foto nga zona e “21 Dhjetorit” në Tiranë, ku disa ditë më parë denoncoi zaptimin e hapësirave publike nga biznese private. Në rrjetin social Instagram, ku ka shpërndarë fotot, Rama thotë se nuk do të ketë më hapësira publike të zëna në shkelje të ligjit, teksa shton se një grup prej 8 arkitektësh janë tashmë në terren për të kryer një inventarizim.

Sipas kryeministrit, hapësirat e liruara do rikthehen me projekte të reja komunitare, për të cilat thotë se do të kontribuojnë falas me idetë e tyre mbi 100 arkitektë të mirënjohur ndërkombëtar.

“Kjo hapësirë publike e 21 Dhjetorit (si të tjera në Tiranë sot, nesër e në vijim) nuk është më “tok e xanun”, por në ndërkohë 8 grupe arkitektësh janë shpërndarë në territor për të inventarizuar plagët urbane që pas pastrimit kërkojnë shërim, duke u rikthyer me projekte të reja komunitare për të cilat kemi marrë angazhimin e mbi 100 arkitektëve të mirënjohur ndërkombëtarë që punojnë edhe në Shqipëri, e që do të kontribuojnë falas me projekt-idetë e tyre”, shkruan Rama.

Më herët gjatë ditës së sotme, kreu i qeverisë bëri me dije se problemi i zaptimit të hapësirave publike do të adresohet edhe përmes një reforme ligjore të kontrollit e të zhvillimit të territorit, për të cilin tha se ka nisur puna.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›