Lirimi i hapësirave publike, Rama: Vijojmë punën

TIRANË, 16 nëntor/ATSH/ Puna për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme po vijon pa pushim në të gjithë vendin.
Kjo nismë i paraprin zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”, i cili synon të kthejë ligjshmërinë në territor, duke sjellë zhvillim për komunitetet.
“Vijojmë punën”, shkroi Kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, teksa ndau sot pamje nga shembja e lavazheve dhe disa ndërtimeve pa leje që kishin zënë hapësira publike.
Qeveria shqiptare ka ashpërsuar masat për forcimin e kontrollit mbi territorin, mbrojtjen e hapësirave publike, zbatimin cilësor të lejeve të ndërtimit dhe ndëshkimin e ndërtuesve që i shkelin ato.
Shumë raste shkeljesh raportohen nga vetë qytetarët në portalin e dedikuar për këtë qëllim “Hapësira ime publike”, ku deri tani rezultojnë 15 731 raste të denoncuara, nga të cilat janë zgjidhur 12 006 raste, ndërsa 3 725 të tjera janë aktualisht në proces shqyrtimi.
Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.
Në këtë kuadër, kryeministri Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.
E konceptuar si një ndërhyrje sistematike në terren dhe jo një aksion i përkohshëm, kjo nismë, e cila ka nisur nga zbatimi në muajin korrik, po vijon me prioritet në gjithë territorin e vendit.
/k.s/r.e/