Lirimi i hapësirave publike në Kukës – Synohet rikthimi i hapësirave për qytetarët, jo ndëshkimi i bizneseve

Në qytetin e Kukësit po vijon zbatimi i aksionit për lirimin e hapësirave publike në vijim të urdhrit të dhënë nga kryeministri Edi Rama për të gjithë vendin.
Sipas Fadil Morinës, nënkryetar i Bashkisë Kukës, qëllimi i aksionit është rikthimi i hapësirave publike për qytetarët.
“Fillimisht zona është krehur nga task-forca. Është bërë njohja me subjektet të cilat kanë bllokuar hapësirën publike dhe trotuaret,” tregon z. Morina.
Sipas nënkryetarit, Bashkia është gjithmonë në mbështetje të bizneseve dhe veprimet e saj nuk kanë qëllim ndëshkues, por synojnë të rrisin ndërgjegjësimin dhe bashkëpunimin.
“Ne si Bashki nuk jemi kundër biznesit, por jemi për kthimin e hapësirave publike te qytetarët. Pas njoftimit vullnetar të lirimit të këtyre hapësirave, do të procedohet me fazën tjetër, me masat administrative për ata që do të hasin pengesë. Në të shumtën e rasteve, subjektet janë shprehur pozitivisht dhe shpresojmë që të na mirëkuptojnë dhe të mbështesin forcat tona, Inspektoratin [e Mbrojtjes së Territorit],” apelon nënkryetari i Bashkisë.
Bashkia Kukës u bën thirrje qytetarëve dhe bizneseve të bashkëpunojnë me institucionet dhe të lirojnë vullnetarisht hapësirat e zëna për të shmangur masat ndëshkuese.
Gazetare: Irda Bajraktari
/rtsh.al/