Lirohet hapësira publike te “Ali Demi”, procedohen penalisht djali dhe babai, akuzohen për falsifikim dokumentesh, pengim qarkullimi të mjeteve, vetëgjyqësi dhe kanosje
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, ka vijuar punën për lirimin e hapësirave publike të zëna në kundërshtim me ligjin. Të martën, u bë e mundur lirimi i një hapësire në rrugën “Ali Demi”, e cila ishte zënë prej kohësh nga familjarët e një 67-vjeçari të arrestuar rreth një javë më parë pikërisht për këtë paligjshmëri. Si rezultat i veprimeve të sotme, është proceduar penalisht edhe djali i 67-vjeçarit.
Familja, në veçanti 67-vjeçari dhe djali i tij, kishin zënë vazhdimisht hapësirën publike me blloqe betoni dhe automjete, duke u konfliktuar shpesh me banorët e zonës që tentonin të parkonin automjetet e tyre.
Ky aksion u krye në kuadër të një procedimi penal të regjistruar nga Prokuroria e Tiranës për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja”. Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë dhe me shërbimet e Drejtorisë së Mirëmbajtjes së Trotuarëve dhe Zgarave të Bashkisë Tiranë, ekzekutuan urdhrin për lirimin e hapësirës.
Gjatë operacionit të sotëm, nga hapësira u hoqën blloqet e betonit. Më parë, nga e njëjta hapësirë ishin hequr dhe sekuestruar 2 automjete.
Lidhur me këtë rast, më 7 Korrik 2025, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, Tiranë, arrestuan shtetasin B. D., 67 vjeç. Sot, nisi procedimi në gjendje të lirë edhe për djalin e tij, shtetasin E. D., 25 vjeç. Ata akuzohen se kanë falsifikuar dokumente në lidhje me pronësinë mbi këtë hapësirë publike, të cilën e zinin vazhdimisht me vetëgjyqësi dhe me objekte të ndryshme, duke shkaktuar konflikte me banorët e pallatit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/