E Diel, 1 Nëntor 2026

Lirohet nga burgu nëna me foshnjën 4-muajshe, GJKKO pranon kërkesën, pezullon për 1 vit ekzekutimin e dënimit

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka pranuar kërkesën e Greta Gjoçit për pezullimin me një vit të ekzekutimit të dënimit.

Gjoçi u paraqit në GJKKO pasi një ditë më parë ishte dërguar në burg së bashku me foshnjën e saj 4-muajshe. Ajo është dënuar me 6 vite e 8 muaj burg për mashtrim kompjuterik, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal që dyshohet se mashtronte shtetas italianë përmes Call Center-ave.

Pas ekzekutimit të vendimit, Gjoçi u dërgua në burgun e Pojskës, në Korçë, së bashku me foshnjën. Nëna dhe fëmija u vendosën në seksionin e posaçëm të institucionit të vuajtjes së dënimit, ku ndodhet edhe çerdhja.

Greta Gjoçi është një nga gjashtë gratë e dënuara si pjesë e grupit të Bruno Çobos. Pesë prej tyre i janë drejtuar GJKKO-së me kërkesa për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit, duke iu referuar fëmijëve të mitur dhe rrethanave familjare.

Me vendimin e sotëm, GJKKO ka pranuar kërkesën e Gjoçit dhe ka pezulluar për një vit ekzekutimin e dënimit të saj.

Pas vendimit të GJKKO-së, Greta Gjoçi është liruar nga qelia.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›