Lirohet nga burgu vëllai i numrit 2 të Al Kaedës, ishte aktiv në Shqipëri e Bosnje
Mohamed al-Zawahiri, vëllai i komandantit të dytë më të lartë të Al Kaedas, është liruar sot nga burgu në Egjipt, ku ndodhej prej më shumë se dhjetë vitesh. Lajmin e bënë të ditur burime policore.
Mohamed Al-Zawahiri njihet si një komandant ushtarak në rrjetin terrorist Xhihadi Islamik, duke drejtuar aktivitete të rrjetit në Bosnje dhe Shqipëri gjatë luftërave të Ballkanit në vitet 90.
Vëllai i tij, Ayman al-Zawahiri, është numri dy i Osama Bin Laden brenda rrjetit të Al Kaedës. Vëllezërit mendohet se kanë udhëhequr lëvizjen e Xhihadit Islamik në Egjipt.
Një gjykatë egjiptiane e gjykoi Mohamed Al-Zawahiri në mungesë në vitin 1998 dhe e dënoi me vdekje. Një inxhinier, tani rreth të 50-ave, ai u ekstradua në Egjipt në vitin 2000 nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ku fshihej.
Ai është një nga mbi 700 të burgosur politikë, që janë urdhëruar të lirohen nga Këshilli Suprem Ushtarak i Egjiptit, i cili ka marrë kontrollin mbi vendin pas largimit nga pushteti të presidentit Hosni Mubarak.
