Lirohet pas 11 viteve supermashtruesi Klejdi Kote
TIRANË- "Mashtruesi" më i famshëm në Shqipëri ka rifituar dje lirinë pasi ka kryer të gjithë dënimin prej 11 vitesh e gjashtë muajsh burg. Mëngjesin e djeshëm Klejdi Kote ka lënë qelinë e tij në burgun e Vaqarrit në orën 8:40 minuta. Ai ka dalë nga burgu me një qese najloni të bardhë ndër duar dhe është drejtuar tek makina e tipit "Golf 3", ngjyrë blu, që e priste në dalje të kësaj dere. Pa dhënë asnjë koment, Kote është ulur në sediljen e parë të kësaj makine, nga krahu i pasagjerit dhe bashkë me të njohurin e tij që ngiste makinën, janë larguar përgjatë rrugës kryesore të fshatit Vaqar, duke lënë pas 138 muaj të vuajtjes së dënimit për "vjedhje së bankës me anë të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve". Për muaj me radhë, Klejdi Kote ka qenë personi më i kërkuar në Shqipëri dhe cilësohej nga policia e kohës si njeriu më i aftë për të mashtruar dhe falsifikuar dokumente. Skemat e tij perfekte zbuloheshin vetëm pasi ai kishte marrë paratë dhe ishte zhdukur.
Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë ka qenë vetë i sapo liruari Kote që me ndihmën e avokatit mbrojtës ka kërkuar që të lirohet nga Gjykata e Shkallës së Parë, me pretendimin se i kishte përfunduar ditët e dënimit prej 11 viteve e gjashtë muaj burg, por, nga përllogaritja e ditëve të vuajtura rezultonte se me datë 10 shtator (dje) Kote përfundon ditët e dënimit të dhënë përfundimisht nga Gjykata.
Gjykatës e Tiranës, më 2 prill 2001 pasi shqyrtoi dosjen penale vendosi ta deklarojë Klejdi Koten fajtor për kryerjen e veprave penale "Vjedhjes së Bankave dhe arkave të kursimit"; "Falsifikimit të dokumenteve"; "Falsifikimit të letërnjoftimeve apo vizave" si dhe "Falsifikimit të akteve të gjendjes civile", duke u dënuar me tetë vite burg.
Ka qenë Gjykata e Apelit e cila pasi mori në shqyrtimin ankimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, vendosi përfundimisht me vendimin nr. 402 të datës 17 shtator 2001 që shtetasi Klejdi Kote të vuajë dënimin me 11 vjet e 6 muaj burg. Sipas vendimit, super mashtruesi Kote duke falsifikuar të gjitha këto aktet e sipërcituar tek akuzat, ka mundur të përvetësojë me anë të grabitjes në vitin 1999 nga Banka e Kursimeve 250 milionë lekë të vjetra, duke zbatuar një skemë perfekte mashtrimi. Sipas vendimeve, vjedhja është kryer nga Kote, duke hyrë qetësisht në bankë, ku ka paraqitur dokumentet sikur ishte trashëgimtari dhe pasardhësi i një biznesmeni nga Berati, i cili sapo kishte vdekur.
Ai kishte studiuar për muaj të tërë biznesmenin dhe kishte mësuar çdo zakon të familjes së tij. Madje kishte arritur që të gjente edhe sozinë perfekte të bashkëshortes së biznesmenit "të vdekur". Ai u paraqit në bankë me një certifikatë vdekjeje në dorë, një grua që thoshte se ishte e veja e biznesmenit dhe me aktin e trashëgimisë. Pa iu dridhur aspak qerpiku, Kote i ka kërkuar arkëtares që t'i jepte 250 milionët e lekëve të vjetra. Ai ka marrë paratë, i ka vendosur në një çantë dhe me gruan për krahu është larguar qetësisht. Madje punonjësit e bankës treguan në atë kohë se gruaja dukej se mbante zi.
Por, vjedhja zbulohet pas pak kohe, kur biznesmeni "i ngritur nga varri" kishte shkuar në Bankë për të kërkuar paratë e tija, të cilat ia kishte grabitur Kote. Kjo i alarmoi Policinë e Shtetit e cila ndërmori operacionin për gjetjen dhe arrestimin e super mashtruesit me emrin Klejdi Kote që përfshinte në këtë mashtrim edhe një grua të rreme, një punonjës banke të implikuar në këtë çështje dhe katër falsifikatorë dokumentesh. Por, arrestimi i Kotes erdhi pas disa muajsh kërkimesh nga policia e shtetit, agjentët e së cilës e pikasen duke ecur nëpër kryeqytet me një biçikletë i pa shqetësuar fare, ku edhe e prangosen.