E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Listat e kandidatëve/ Minxhozi: Berisha realizoi “fortifikimin e humbjes”, PS kreu hapje të fortë

TIRANË- Analisti Skënder Minxhozi, i ftuar në “Tirana Live” komentoi publikimin e listave të kandidatëve për deputetë, ndërsa theksin e vuri në dy partitë kryesore, PS dhe PD.

Ai u shpreh se në këto lista u vunë re dy fenomene kyçe, që janë realizuar tashmë.

Sipas tij, PS-ja tregoi një hapje të fortë të partisë me emrat e përfshirë në listë, kurse Partia Demokratike vendosi në lista të sigurta njerëzit besnikë të Sali Berishës.

“Mua listat më konfirmuan dy fenomene, që priteshin të ndodhnin në lidhje me zgjedhjet në dy parti të mëdha. Rama kërkonte një hapje të fortë të partisë. Kemi  nga ana tjetër PD, e cila pritej gjithashtu dhe u konfirmuar që të ndiqet një filozofi të ndryshe. Nëse Rama ka nxjerrë tre ministra në fushatën e votave, fushatën e vërtetë, Berisha ka nxjerrë një filozofi tjetër dhe ka dashur të garantojë një pleqëri politike duke mbajtur pranë vetës të gjithë besnikët dhe duke lënë në listë të hapur persona, të cilët do ta keni të vështirë të marrin vota.”, tha ai.

Për Minxhozin, lista e publikuar nga Partia Demokratike është thjesht një “fortifikim i humbjes” se sa një dëshirë apo plan për të fituar betejën elektorale të 11 majit.

“Ky është fortifikimi i humbjes se sa risku i fitores. Do duhet të guxonte dhe riskonte më tepër. Berisha ka menduar më mirë për një humbje të butë. PD është ndarë nga një 8 janar, ku PD u nda me tym e flakë, ku njerëzit kacavirreshin nga kati i parë në të dytin. Ata që janë pranë Berishës e dinë shumë mirë që ka atë moshë që ka, ka atë konsum që ka, ka probleme me shtetet e perëndimit, është dy herë non grata.  PD ka zgjedhur Berishën, jo fitoren. Ish-bashistët u kthyen në berishistë të flaktë”, tha ai./abcnews.al

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›