E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liverpooli turpëron Realin

Liverpooli ka turpëruar kampionin e Spanjës, Real Madrid, edhe në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve në Anfield, të cilën e fitoi me rezultat 4-0, duke u kualifikuar kështu për në çerekfinale të kësaj gare me rezultat të përgjithshëm 5-0. Pas ndeshjes së parë në Bernabeu që përfundoi në favor të ekipit anglez, u prit që kampioni i Spanjës të jetë më kërkues në ndeshjen e kthimit, por në fakt ndodhi e kundërta, pasi vendasit dominuan në tërësi ndeshjen.
Pjesa e parë
Të kuqtë e Rafa Benitez filluan shkëlqyeshëm ndeshjen duke dominuar si në posedim të topit po ashtu edhe me raste.
Në dhjetë minutat e para të lojës Liverpooli pati tre raste të mira shënimi, por tentimet e Torres, Mascherano dhe Gerrard, të gjitha u ndaluan nga portieri i ekipit spanjoll, Iker Casillas.
Megjithatë njëshi i kombëtares së Spanjës, nuk mundi të bënte më shumë kur në minutën e 16-të të lojës një gabim i mbrojtësit Pepe dhe një asistim i Dirk Kuyt, i lejoi sulmuesit Fernando Torres të shënojë nga afërsia. Pas gati gjysmë ore lojë, në favor të vendasve u akordua një penalti e dyshimtë, për shkak të një supozimi të prekjes me dorë nga mbrojtësi argjentinas Gabriel Heize, ndërsa nga pika e bardhë ishte i saktë kapiteni Steven Gerrard (28').
Pjesa e dytë
Liverpooli filloi pjesën e dytë me të njëjtën 'formulë' të fillimit të ndeshjes, duke sulmuar menjëherë pas pauzës e që rezultoi edhe me golin e tretë të të kuqve. Pas një depërtimi të mirë nga Ryan Babel, kapiteni Steven Gerrard gjeti rrjetën e kundërshtarëve për të dytën herë, për të fundosur shpresat e mbretërve për kualifikim të mëtejmë (47'). Ndeshja vazhdoi me emocione në të dyja anët, por pa ndryshim rezultati deri në çastet e fundit, kur vendasit vulosën gjithçka me golin e zëvendësuesit Andrea Dossena, në minutën e fundit të kohës së rregullt.
Liverpooli kështu kualifikohet me rezultat të përgjithshëm 5-0 nga të dyja ndeshjet.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›