E Enjte, 5 Nëntor 2026

Llagami: Nevojitet qasje kombëtare për adresimin e çështjeve të prapambetura në gjykata

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, prezantoi në Kuvendin e Shqipërisë, në seancë plenare, raportin vjetor mbi gjendjen e sistemit gjyqësor dhe veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2023.

Llagami njohu deputetët e Kuvendit mbi zhvillimet në sistemin gjyqësor me fokus, kryesisht në iniciativat e ndërmarra nga Këshilli në kuadër të miradministrimit gjyqësor, ruajtjes së aksesit dhe kapitalit njerëzor, si dhe rritjes së efiçencës së shërbimeve gjyqësore.

Gjithashtu, sfidat e pushtetit gjyqësor si burimet e limituara infrastrukturore, financiare dhe njerëzore dhe nevoja për një qasje kombëtare në adresimin e stokut të çështjeve të prapambetura në gjykatat shqiptare, u artikuluan një zëri nga kryetarja e Këshillit.

Prezantimi i raportit, vijoi me një seri pyetjesh nga deputetët e pranishëm në seancë për tu njohur në detaje me aspekte specifike të veprimtarisë dhe kompetencave të Këshillit.

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami është pyetur nga deputeti demokrat Gazment Bardhi se a kanë akses qytetarët shqiptarë në drejtësi.

Sipas Bardhit, janë 138 mijë çështje të mbartura.

Në përgjigje Llagami u shpreh se reforma kaq të thella kanë kostot e veta, pasi solli humbje të madhe të kapitalit njerëzor. “Në sistemin gjyqësor duhet të ishin 408 gjyqtarë, dhe kemi aktualisht 243. Këto komponentë ndikojnë te pjesa që ne kemi pritshmërinë e qytetarit te pjesa që ka vlerësuar te kjo reformë. KLGJ në menaxhimin e burimeve njerëzore ka treguar shumë efektivitet sepse ka ndërmarrë hapa strategjikë dhe hapi fundit që kemi marrë së bashku me partnerët tanë, ku i kemi bërë ftesë qeverisë, Ministrisë së Drejtësisë dhe Kuvendit, është backlog-u. Sot kemi miratuar një strategji për backlog-u, që është një set masash administrative, infrastrukturore, por edhe ligjore, që kërkon të bëhemi të gjithë bashkë për të miratuar masat që t’i garantojmë qytetarit shërbimin e merituar”, tha ajo.

Aktualisht gjykata në nevojë janë 4, dy apelet dhe shkalla e parë Tiranë dhe ajo Administrative.

Edhe Gjykata e Lartë, vijoi ajo, është në nevojë, por me masat që ka marrë ka ecur në ritme të mira.

“Ajo që kërkoj nga të gjithë ju deputetë është që të bashkëpunojmë për të kaluar këtë sfidë, që është backlog-u”, theksoi Llagami.

Pyetja e dytë kishte të bënte me Shkollën e Magjistraturës, ku u pyet në lidhje me problematikat në konkurs dhe ndryshimet e rezultateve të pranimit.

“Sa i përket Shkollës së Magjistraturës, unë jam anëtare e bordit drejtues. Patëm një shqetësim nga KLGJ, patëm një peticion nga kandidatët që kishin aplikuar, por nuk kishin fituar, duke diskutuar mostransparencën e anës së shkollës. Në mbledhjen e bordit, u konstatua se nga ana e shkollës ishin marrë masa, por ajo që mungoi dhe që KLGJ kërkoi më shumë transparencë dhe rikorigjim të tezës para kandidatëve. Drejtori i shkollës është administrator i prodhimit, dhe u konstatua se janë marrë të gjitha masat e nevojshme”, tha kryetarja e KLGJ në përgjigjen e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›