'Loja' e avokatëve në gjyqet e mëdha, Nishani: Do ndryshojmë ligjin
TIRANË - Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani ka deklaruar se do të ndryshojë ligjin e Avokatisë, i miratuar në Kuvend vetëm një vit më parë. Ndërhyrja në ligj justifikohet me problemet që ka shkaktuar shtyrja pafund e gjyqeve të mëdha.
"Nese arrijmë ne një konkluzion ku në parim dhe themel të respektohet ofrimi dhe sigurimi i te drejtës së mbrojtjes se personit te pandehur, atëherë procedura duhet te jete shume strikte dhe përcaktuese, në mënyre qe te mos ketë hapësira abuzuese nga ana e avokatit gjate hetimit gjyqësor për të shtyre procesin apo seancën, por trupi gjykues te ketë gjithë te drejtën dhe hapësirën ligjore për ta vazhduar procesin dhe seancen pa ndërprerje', tha ministri Nishani.
Ideja është që me ligj të përcaktohen dy grupe avokatësh për një çështje. Në rast se mungon njëri, seanca zhvillohet me grupin tjetër mbrojtës. Në grupin e parë janë ata që njihen me termin avokati i shtetit dhe në grupin tjetër avokatë të përfshirë në listë të posaçme nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.
Vitin që kaloi ndryshoi ligji i Avokatisë, por sërish shtyrjet e gjyqeve mbeten një problem për drejtësinë. Madje, Presidenti Topi, në cilësinë e kryetarit të KLD-së, ka bërë thirrje që proceset të mos zvarriten nga asnjëra palë, mbrojtje-akuzë.
Ndërkohë, një javë më parë pati një reagim të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, e cila jepte alarmin për rrezikimin e degjenerimit të procesit gjyqësor të Gërdecit për shkak të pengesave të shkaktuara nga shtyrjet pafund. Gjykata i kërkoi Dhomës së Avokatisë të merrte masa ndëshkuese për avokatët. Ndërsa në Krimet e Rënda në të njëjtin stad ndodhet gjyqi për bandën famëkeqe të Durrësit.