E Shtunë, 31 Tetor 2026

Loja e hapave drejt BE-së

Një media shumë e njohur, komentoi këto ditë se Shqipëria mund të mos e arrijë BE-në deri në vitin 2015. Çuditërisht, edhe përfaqësues të OSBE-së kanë pretenduar se do të rrinë këtu gjatë dhe do të monitorojnë. Mbase ato hapat para e prapa, për të cilat fliste përpara disa ditëve edhe një diplomat i SHBA-ve. Në se partnerët tanë apo komentues të njohur të mediave më prestigjioze, tregohen shumë të përmbajtur në parashikimet e tyre për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, kjo s’do të thotë se dikush është i acaruar me ne, kërkon të na provokojë, (siç bëjmë ne këtu me njëri-tjetrin). Doemos që jo. Droja se Shqipëria e ka të vështirë të bëhet pjesë e BE-së deri në vitin 2015, është formuluar edhe herë tjetër, në mënyra të ndryshme.

Problemi është se në analizat e partnerëve dhe të mediave më të vlerësuara, nuk ka fjalë të tepërta, sikundër as shprazje inati, batuta provokuese, ironi, e të tjera këso. Mirëpo ne jemi mësuar që politika dhe pazari të jenë të mbushur me ironi dhe batuta; (bie fjala, kryeministri ynë është mjaft i dalluar në këtë gjysmë-zhanri). Po bëhet së paku një muaj, që rrugë më rrugë e komunë më komunë, iu hidhen “rrotulla” kundërshtarëve politikë, sikur të jemi në sheshin e fshatit. Edhe po bëjmë qyfyre. Ja ç’kam bërë unë, ja ç’ke bërë ti. Gjuajtja me batuta në largësi, është bërë tashmë një gjë më shumë se komike. Nuk shkohet në BE me batuta. Nuk ka batuta në prononcimet e partnerëve tanë dhe as në komentet e mediave.

Edhe në raportin më të fundit të Bankës Botërore, për klimën e biznesit në Ballkan, nuk ka batuta, as shakara fshati; ky dokument i njihte “reformat ambicioze të Shqipërisë”, sidomos në fushën e regjistrimit të biznesit. Ai gjente disa përmirësime edhe për sa i takon lehtësive për të bërë biznes në Shqipëri. Por i njëjti institucion, bërtet me të madhe për problemet energjitike dhe të borxheve të qeverisë shqiptare. Po ashtu edhe FMN, jo më larg se dy ditë para, krahas vlerësimeve, parashikonte probleme serioze për ekonominë shqiptare, që kanë të bëjnë sa me detaje të jetës politike (“... plot kundërshti”), aq edhe me ngërçet e njohura, si problemet e furnizimit me energji elektrike dhe klima e biznesit në tërësi. Dhe kështu, çdo fjalë e mirë, e përmbajtur, shoqërohet me shumë fraza që janë të mbushura me nënkuptime dhe porosi. Në krye të listës së vendeve “në rrezik” na vendoste raporti amerikan për armët dhe monitorimin e mbetjeve të tyre. Ky vend, pra, ka probleme të mëdha.

Kjo është ajo çka thonë midis rreshtave partnerët tanë. Jo më shumë se para disa javësh, Ministrat e Ekonomisë dhe të Financave të Bashkimit Evropian kërkuan monitorimin mbi krimin e organizuar dhe financimin e tij, si dhe parandalimin e qarkullimit ilegal të armëve. (Në këtë temë, ne kemi qenë mjaft “të zënë” apo jo?). Po ashtu, u fol shumë në lidhje me standardet e sigurisë në Ballkan; (“... pasi rajoni përbën një zonë kyçe të kalimit të drogës nga Azia për në BE, ndërkohë që shqetësues paraqitet dhe trafiku i armëve”).

Që të vijmë edhe njëherë në “sheshin e fshatit” tonë, në vend të batutave fshatareske, më mirë do të ishte të kishim një përgjigje serioze për raportet me organizatat monitoruese, si OSBE, që deri diku na qenka në sintoni me BBC-në për drojën se s’jemi në BE as në 2015. Por ne, përtej batutave, mund të kërkonim një shpjegim edhe në lidhje me bujën për privatizimin e ARMO-s. Përse janë thyer afatet dhe ku janë milionat e premtuara? Po ashtu, nuk ka ende një shpallje zyrtare për shitjen e pjesë së mbetur të INSIG-ut; ishte deklaruar se do të ketë një gjë të tillë gjatë gushtit. (I parashikuar të zhvillohej më 14 maj 2008, tenderi është anuluar për shkak të mungesës së konkurrencës, pra mungonte numri i nevojshëm i kompanive që bën të mundur hapjen e ofertave).

Nën zë, flitet se vështirë të realizohet ky privatizim brenda vitit 2008. Na duket se mjaft e paqartë është gjendja e kthimit dhe kompensimit të pronave; nuk ka ndonjë lajm të mirë as edhe për minimumin e përkujdesjes për këtë vit, atë fondin prej pesë milionë dollarë (USD). Më tej, gjithnjë në vend të batutave provincialeske, do të ishte më mirë të dinim përse rubinetet e Golemit u hapën vetëm ditën e inaugurimit dhe, përgjithësisht, ç’bëhet me ujin e pijshëm? Kështu pra, t’i lemë njëherë batutat dhe të flasim seriozisht. Këto ditë, zoti kryeministër iu thuri ditirambe eksporteve tona, për çka çdo qytetar do të ndjehej mirë. Por po t’iu besosh institucioneve të specializuara, del se “Shqipëria ka humbur ndjeshëm terren në treguesit e tregtisë me vendet e tjera”.

Rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe mundësitë e kufizuara për të eksportuar, janë dy nga faktorët kryesore që kanë përkeqësuar në shifra rekord deficitin tregtar të vendit”. Kjo ka qenë pak a shumë përmbajtja e një publikimi të Bankës së Shqipërisë, tamam në korrik të këtij viti. “Deficiti tregtar i vitit 2007, është thënë më tej në këtë publikim, ka arritur vlerën e 2.1 miliardë eurove ose 27 për qind më i lartë se viti paraardhës, por në të njëjtën kohë, shifra është më e larta e regjistruar në vite(!) Treguesi më shqetësues, sa i takon prodhimit vendas, është se ka prirje rritëse edhe të importeve të produkteve bujqësore, të cilat në një vit janë rritur me 17 për qind”. Patjetër, është vendi për të vënë të tjera pikëçuditëse në fund të këtyre frazave dhe pastaj edhe atyre të kryeministrit për “vjeljet” e shkëlqyera të korrikut. (Ashtu qofshin!)

Veçse më së pari, pikëçuditëse duhet vënë pas batutave në largësi, që nuk kanë të sosur dhe që rrëfejnë për një ndjeshmëri të ulët ndaj kanosjes së vitit 2015. E në kemi vendosur ta përshkruajmë rrugën për në BE duke hedhur hapa para e prapa dhe duke shkëmbyer batuta, le të rrimë ende në çarkun torturues të tranzicionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›