Lufta- Trump propozon ndryshimin e regjimit pas sulmeve: Ta bëjmë Iranin përsëri të madh

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ngritur çështjen e mundësisë së ndryshimit të regjimit në Iran pas sulmeve ushtarake amerikane kundër bazave kryesore ushtarake të Iranit gjatë fundjavës, edhe pse anëtarë të lartë të administratës së tij këmbëngulën se SHBA-të nuk po kërkonin të rrëzonin udhëheqjen iraniane.
“Nuk është politikisht korrekte të përdoret termi “Ndryshim Regjimi”, por nëse regjimi aktual iranian nuk është në gjendje ta bëjë IRANIN PËRSËRI TË MADH, pse nuk do të kishte një ndryshim regjimi??? MIGA!!!” shkroi Trump në një postim në platformën e tij të mediave sociale Truth Social.
Më herët, zëvendëspresidenti JD Vance këmbënguli se SHBA-të “nuk ishin në luftë me Iranin, ne jemi në luftë me programin bërthamor të Iranit”, ndërsa sekretari i shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha se SHBA-të “nuk po kërkonin luftë në Iran”.
Ndërkohë, bota ishte përgatitur për përgjigjen e Iranit ndaj sulmeve të SHBA-së, të cilat e panë atë t’i bashkohej Izraelit në veprimin më të madh ushtarak perëndimor kundër Republikës Islamike që nga revolucioni i saj i vitit 1979.
Duke folur në Stamboll, ministri i jashtëm iranian, Abbas Araqchi, tha se vendi i tij do të shqyrtonte të gjitha përgjigjet e mundshme. Ai theksoi se nuk do të ketë kthim në diplomaci, derisa të hakmerren.
“SHBA-të treguan se nuk kanë respekt për ligjin ndërkombëtar. Ata kuptojnë vetëm gjuhën e kërcënimit dhe forcës”, tha ai.
Më pas ai fluturoi për në Moskë për të diskutuar “kërcënimet e përbashkëta” me Presidentin Vladimir Putin.
/rtsh.al/