E Martë, 3 Nëntor 2026

Lufta Izrael-Hamas, Katari: Netanjahu po minon përpjekjet për ndërmjetësimin e dialogut

Katari ka shprehur sot shqetësimin se Benjamin Netanyahu po minon përpjekjet e ndërmjetësimit në luftën Izrael-Hamas.

Ky qëndrim vjen pasi Netanjahu u kap një regjistrim audio teksa kritikonte vendet e Gjirit dhe midis tyre edhe Katarin të cilin e ka cilësuar si problematik.

Madje, Netanjahu është treguar kritik edhe me amerikanët për rinovimin e kontratës për bazën e tyre ushtarake në Katar

“Këto vërejtje nëse vërtetohen, janë të papërgjegjshme dhe shkatërruese për përpjekjet për të shpëtuar jetë të pafajshme, por nuk befasohemi” tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al Ansari.

Netanjahu nuk ka bërë një koment publik në lidhje me regjistrimin, por një zyrtar izraelit i tha CNN-it: “Izraeli punon me Katarin si ndërmjetës me Hamasin për lirimin e pengjeve, për shkak të lidhjeve të ngushta me këtë organizatë terroriste vrastare. Izraeli është i vetëdijshëm për kompleksitetin.”

Regjistrimi audio që u transmetua në Channel 12 të Izraelit të martën mbrëma pretendohet se vjen nga një takim me familjen e pengjeve. Zëri që i atribuohet Netanyahut thotë se Katari nuk po bën mjaftueshëm për të ushtruar presion mbi Hamasin për të liruar pengjet.

Ministri i Financave i ekstremit të djathtë të Izraelit, Bezalel Smotrich, iu përgjigj komenteve të Katarit të mërkurën vonë, duke pohuar se vendi i tij është padron i Hamasit, që financon terrorizmin. Katari ka siguruar fonde për Hamasin të paktën që nga viti 2018, me miratimin e qeverisë izraelite.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›