Lufta kundër korrupsionit, Rama: Pastrojmë shtëpinë tonë nga kushdo që ha të tjerët pas shpine

TIRANË, 8 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, në një takim me gra dhe vajza nga i gjithë vendi me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Rama u ndal te Reforma në Drejtësi dhe rezultatet e luftës kundër korrupsionit.
“Njësoj si ju që kujdeseni për pastrimin e shtëpisë edhe ne në mënyrë të vazhdueshme do ta pastrojmë shtëpinë tonë dhe do ta bëjmë vendin ku çdokush të ketë atë që meriton dhe kushdo që do të hajë të tjerët pas shpine të largohet nga shtëpia dhe të shkojë aty ku e meriton. Kjo është rruga jonë, nuk kemi asnjë rrugë tjetër”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se sot në Shqipëri po ndodh një gjë që nuk ka ndodhur kurrë më parë dhe për këtë arsye krijohet edhe një zhurmë shumë e madhe.
“Ndërkohë këneta politike e mediatike shpërthen sa herë që lufta kundër korrupsionit drejtohet ndaj dikujt që është i lidhur me pushtetin politik të PS-së, por duhet vetëm shumë pak distancë, qetësi dhe arsyetim për të kuptuar që e gjithë kjo që po ndodh është vepër e PS-së”, tha Rama.
Kryeministri kujtoi se nuk ka ndodhur ndonjëherë më parë, që nga viti 1912, që kushdo i lidhur me pushtetin politik të shkojë para një prokurori dhe gjykatësi të pavarur dhe të hetohet dhe dënohet.
“Kjo po ndodh sot se PS me vendosmëri bëri një reformë në drejtësi që nuk e ka bërë ende asnjë vend në rajonin tonë. Ne vendosëm të dorëzojmë tek drejtësia shpatën e ndëshkimit që gjithmonë e ka mbajtur qeveria. Kush ka hyrë më parë në procese hetimi, që nga viti 1912 ka hyrë me urdhër nga lart. Janë burgosur në Shqipëri, pushkatuar, varur ministra dhe kjo ka ndodhur se ka ardhur urdhri nga lart”, shtoi Rama.
Ndërsa sot, sipas tij, “nuk ndodh lufta kundër pandëshkueshmërisë historike me urdhër nga lart”.
“Sot ndodh, sepse ne shpatën e ndëshkimit ia dorëzuam drejtësisë. Duke hyrë në BE kjo është e dyta gjë që ne garantojmë përgjithmonë dhe nuk varet se del një buf kënete dhe thotë ‘do shkrij SPAK’, apo se del një specie tjetër dhe përbetohet se do shkrijë drejtuesin e SPAK. Apo se dalin të gjitha speciet bashkë dhe premtojnë se me votën që do të marrin do ta kthejnë mbrapsht Reformën në Drejtësi, pra do të kthejnë mbrapsht Shqipërinë”, shtoi Rama.
Ndërsa u ndal te përfitimet që do të ketë vendi nga anëtarësimi në BE, Rama kërkoi fitoren e dhjetë radhazi për PS-në, por siç tha ai, “këtë herë me notën dhjetë. Ne jemi pa emigrantët afro 800 mijë, bashkë me emigrantëtë ne do t’i afrohemi 1 milionëve”.
“Parafytyroni se të gjitha këto t’i vësh në diskutim për mustaqet e Kujtim Gjuzit, që janë gjëja më madhështore në atë shportë karavidhesh dhe mbeturinash të historisë dhe produktesh të një kënete që nuk i është ndarë Shqipërisë nga vitit 1912”, tha Rama.
/r.e/