Lufta kundër korrupsionit, Zelensky zëvendëson Shefin e Mbrojtjes, Reznikov dërgohet te Ministia e Industrive Strategjike

Ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksii Reznikov, nën presionin e një skandali korrupsioni, do të riorganizohet në një detyrë tjetër qeveritare. Lajmi është bërë me dije nga aleati i ngushtë i Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Mbrëmjen e së dielës (5 shkurt), shefi i bllokut parlamentar të Shërbëtorit të Popullit të Zelenskyt, David Arakhamia deklaroi se Reznikov do të bëhej Ministër i Industrive Strategjike, i ngarkuar me forcimin e bashkëpunimit ushtarak-industrial.
Pas deklaratës së Arakhamia nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga Reznikov, por më herët ky i fundit në një konferencë për shtyp, u shpreh se mandati i tij si Ministër i Mbrojtjes mund të mos zgjasë shumë.
“Askush nuk është në karrige për tërë jetën e tij. Pozicioni im si ministër i mbrojtjes i takon presidentit Volodymyr Zelenskiy të Ukrainës në përputhje me Kushtetutën”, ka deklaruar Reznikov.
Oleksii Reznikov është zyrtari më i fundit i lartë ukrainas që do të zëvendësohet në luftën kundër korrupsionit. Ai do të zëvendësohet nga shefi i agjencisë së inteligjencës ushtarake GUR, Kyrylo Budano.
Si një nga figurat më të njohura të Ukrainës ndërkombëtarisht, pozicioni i Reznikov ka qenë i kërcënuar, kjo pasi rezultoi se Ministria e Mbrojtjes pagoi dy ose tre herë më shumë se çmimi i ushqimit në supermarket për të furnizuar trupat në vijën e frontit.
Ukraina ka nisur një valë të re bastisjesh kundër korrupsionit ndaj figurave të profilit të lartë. Dhjetë figura kryesore ukrainase dhanë dorëheqjen dy javë më parë, si pjesë e spastrimit, duke përfshirë zëvendës shefin e zyrës së Zelensky, Kyrylo Tymoshenko. Disa zëvendësministra dhe guvernatorë rajonalë u përjashtuan gjithashtu.
/rtsh.al/