E Diel, 1 Nëntor 2026

Lufta me Iranin i kushton SHBA-së mbi 47 miliardë dollarë, Pentagoni përgatitet për rikthimin e luftimeve

Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar mbi 47 miliardë dollarë për luftën me Iranin, më shumë se 25% mbi vlerësimin e mëparshëm të Departamentit të Luftës.

Shifra bëhet e ditur nga të dhënat e Pentagonit, të siguruara nga agjencia Reuters.

Sipas vlerësimit të fundit, mbi 29 miliardë dollarë nevojiten për zëvendësimin e municioneve të përdorura, ndërsa më shumë se 6 miliardë dollarë të tjerë për pajisjet ushtarake të humbura, përfshirë avionë dhe dronë.

Në korrik, sekretari amerikan i luftës, Pete Hegseth, e kishte vlerësuar koston e konfliktit në 37,5 miliardë dollarë.

Ndërkohë, dëmet në bazat ushtarake amerikane nga sulmet iraniane nuk rezultojnë të jenë përfshirë plotësisht në këtë përllogaritje.

Konflikti, i nisur në shkurt nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, ka ndikuar edhe në rritjen e kostove globale të energjisë.

Lufta dhe pasojat e saj po shtojnë presionin politik mbi administratën Trump, në prag të zgjedhjeve të mesmandatit të 3 nëntorit.

Sipas zyrtarëve amerikanë të cituar nga Reuters, Pentagoni po përgatitet për mundësinë e rifillimit të luftimeve intensive, nëse jepet urdhri nga presidenti Trump.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›