Lufta në Gazë, OBSH apel palëve: Respektoni pauzat humanitare

Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka bërë thirrje Izraelit dhe autoriteteve të Hamasit që të respektojnë zonat e pauzës humanitare në veri për të bërë të mundur vaksinimin e popullatës.
“Disa zona në veri që janë pjesë e zonave të pauzës humanitare, ku janë lëshuar urdhra evakuimi. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të vazhdojnë të sigurojnë që këto zona pauze humanitare të respektohen gjatë fushatës”, tha Tarik Jasarevic, zëdhënës i OBSH-së, në një konferencë të OKB-së në Gjenevë.
Deklaratat e tij erdhën pas thirrjes së fundit të ushtrisë izraelite për evakuim për shkak të sulmeve me raketa nga Rripi verior i Gazës në qytetin bregdetar jugor të Ashkelon.
Gjithashtu Jasareviç tha se fushata tre-ditore e poliomielitit në veri do të vazhdojë nga e marta dhe vaksinat, pajisjet e zinxhirit të ftohtë dhe shënuesit e gishtërinjve u dorëzuan në Gazën veriore të hënën.
“Dje, është penguar një mision i OBSH-së që transportonte karburant për spitalet dhe automjetet për fushatën e poliomielitit, si dhe ekspertë të monitorimit të fushatës. U deshën tre orë që misioni të merrte dritën jeshile për të lëvizur pasuar nga 5 orë në pikën e mbajtjes, pas së cilës misioni duhej të ndërpritet. Po mundohemi të arrijmë sërish në veri sot dhe për evakuimin mjekësor të 8 pacientëve në jug”, u shpreh ai.
Fushata e vaksinimit ndaj poliomielitit në Gazën jugore dhe qendrore ka përfunduar të hënën me mbi 446,000 fëmijë që janë vaksinuar që nga fillimi i fushatës më 1 shtator.
/rtsh.al/