Lufta në Ukrainë- Diplomatë nga SHBA dhe BE takohen sot në Paris

I dërguari special i Donald Trump, Steve Witkoff, së bashku me kryediplomatin amerikan Marco Rubio, do të zhvillojnë sot bisedime të rëndësishme me homologët evropianë në Paris, me qëllim gjetjen e një rruge për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Në takim do të marrë pjesë edhe Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, çka e bën këtë një nga nivelet më të larta të angazhimit transatlantik që nga muaji shkurt.
Muajt e fundit, SHBA ka treguar një ngurrim për t’u koordinuar ngushtë me partnerët evropianë, por takimet e sotme sinjalizojnë një kthesë të mundshme në qasjen diplomatike të Uashingtonit.
Sipas burimeve diplomatike, Witkoff dhe Rubio do të takojnë presidentin francez Emmanuel Macron dhe ekipin e tij. Më vonë, Sekretari Amerikan i Shtetit pritet të zhvillojë bisedime të përbashkëta me Lammy dhe përfaqësuesit francezë dhe gjermanë, ndërsa në diskutime do të përfshihen edhe këshilltarët evropianë të sigurisë kombëtare.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka konfirmuar se fokusi kryesor i këtyre bisedimeve do të jetë gjetja e një rruge për ndalimin e luftimeve, ndërsa Witkoff do të raportojë mbi takimin e tij të fundit me presidentin rus Vladimir Putin.
Ndërkohë, diplomatë evropianë theksuan se do t’i kërkojnë SHBA-së të rrisin presionin ndaj Rusisë për të pranuar një armëpushim pa kushte.
“Ne duam që SHBA të përdorin pak më shumë shkop,” deklaroi një zyrtar evropian, duke iu referuar qasjes së fortë ndaj Kremlinit.
/rtsh.al/