E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Lufta në Ukrainë, Rusia lëshoi 120 raketa nga ajri dhe deti! Podolyak: Pritet valë e re sulmesh

Më shumë se 120 raketa ruse janë lëshuar mbi Ukrainë. Këshilltari presidencial, Mykhailo Podolyak, ka deklaruar se një valë e re raketash ruse synon qytetet e mëdha, ndërsa u ka kërkuar qytetarëve që të strehohen, ndonëse mbrojtja ajrore e vendit po funksionon. Podolyak ka akuzuar Moskën se po kërkon të shkatërrojë infrastrukturën kritike dhe të vrasë civilët në masë. Shpërthime të forta janë shënuar në Kiev, Kharkiv, Odesa, Lviv dhe Zhytomyr. Udhëheqësi rajonal i provincës jugore të Odesa, Maksym Marchenko ka ngritur alarmin për një sulm masiv raketor në Ukrainë.

Dhjetëra sulme goditën Ukrainën vetëm javët e fundit, duke shkaktuar ndërprerje të përsëritura të energjisë në të gjithë vendin. Kryetari i bashkisë së Lviv tha këtë të enjte se 90% e qytetit të tij ishte pa energji elektrike, ndërsa Klitschko paralajmëroi se mund të ketë ndërprerje të energjisë elektrike dhe ujit në kryeqytet. Në një breshëri raketash në fillim të këtij muaji, Ukraina rrëzoi 60 nga më shumë se 70 raketa të lëshuara nga forcat ruse.

Moska ka mohuar vazhdimisht se ka shënjestruar civilët në sulmet e saj raketore. Megjithatë, presidenti Vladimir Putin ka pranuar së fundmi se trupat ruse kanë goditur objektet kritike energjetike të Ukrainës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›