E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Lufta në Ukrainë/ SHBA do të mbështesë Ukrainën me avionë luftarakë F-16

SHBA thotë se do të lejojë aleatët e saj perëndimorë të furnizojnë Ukrainën me avionë luftarakë të avancuar, duke përfshirë F-16 të prodhimit amerikan.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan tha se presidenti Joe Biden “informoi homologët e tij të G7” për vendimin në samitin e bllokut në Japoni të premten.

“Trupat amerikane do të trajnojnë gjithashtu pilotët ukrainas për përdorimin e avionëve” tha Sullivan.

Ukraina ka kërkuar prej kohësh avionë të avancuar dhe presidenti Volodymyr Zelensky e përshëndeti këtë veprim si një “vendim historik”.

SHBA ligjërisht duhet të miratojë rieksportin e pajisjeve të blera nga aleatët dhe do t’u hapë rrugën vendeve të tjera për të dërguar avionë F-16 në Ukrainë.

“Gjatë muajve të fundit, ne, aleatët dhe partnerët tanë jemi fokusuar me të vërtetë në sigurimin e Ukrainës me armët sistemore dhe trajnimin që i nevojitet për të kryer operacione sulmuese këtë pranverë dhe verë”, u tha Sullivan gazetarëve në Hiroshima.

Ukraina ka lobuar në mënyrë të përsëritur me aleatët e saj perëndimorë që të ofrojnë avionë për të ndihmuar në luftën e saj kundër Rusisë. Presidenti Zelensky tha se avionët “do të përmirësonin shumë ushtrinë tonë”, duke shtuar se ai priste “të diskutonte zbatimin praktik” të planit në samitin e G7 në Hiroshima, ku ai do të mbërrijë të dielën citon BBC.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›