Lufta per naften e Libise
Tregjet nuk kanë dëshmuar deri tani, nëse ekziston rreziku që kompanitë italiane të jenë më pak të favorizuara se ato amerikane, franceze apo britanike në epokën post-Gadafit.
Gjithçka do të duket me qartë pasi udhëheqësi libian të dalë plotësisht nga skena dhe Këshilli Kombëtar i Tranzicionit të bëjë të qarta strategjitë e tij.
Megjithatë, asnjë skenar ekonomik nuk mund të përjashtohet nga të panjohurat që ofron situata aktuale në Libi.
Në tregje çmimi i naftës, mëngjesin e së hënës, pësoi një rënie të shpejtë, por gjithsesi çmimi mbetet më i lartë se në muajin shkurt prej 100 dollarësh, ose 13% më i lartë se çmimi i fundvitit 2010.
Pyetja që bëjnë të gjithë është kur prodhimi i naftës në Libi, do t’i kthehet periudhës së para konfliktit.
Pyetja e rëndësishme është për Italinë, e cila në të kaluarën merrte nga Libia thuajse një të katërtën e naftës dhe 10% të nevojave për gaz.
Përpara armëve, për kompaninë italiane të Energjisë ENI, Libia përfaqësonte 13% të prodhimit të saj, e barazvlefshme me 280 mijë fuçi nafte në ditë.
Përmes një deklarate, ku përvizoheshin pasiguritë, Bordi i Kompanisë ENI kërkoi nga forcat e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit të respektojë kontratat e furnizimit, për të cilat u negociuan asokohe me Gadafin, të mbrojtura nga e drejta ndërkombëtare, siç shkruhej në deklaratë.
Në epokën e Gadafit, investimet italiane përfshinin një miliardë euro në veprat e mëdha dhe miliona të tjerë në hekurudha, infrastrukturë, telekomunikacion dhe në ndërmarrje të vogla e të mesme.
Në total, përpara luftës civile, Libia prodhonte rreth 1.6 milionë fuçi nafte në ditë, por pas gjashtë muajsh tensionesh dhe konflikt të armatosur është ulur në 500 mijë fuçi në ditë.
Rritja e çmimit të naftës vazhdoi të ndjehej edhe pasi Arabia Saudite ndërhyri duke shtuar prodhimin.
Në Shtetet e Bashkuara, presidenti Barak Obama dhe kreu i Rezervës Federale Ben Bernanke i janë referuar këtij ngërçi të naftës si një prej faktorëve që frenuan shërimin e ekonomisë në gjashtëmujorin e parë.
Investitorët shpresojnë se ulja e çmimeve të naftës dhe gazit të evitojë reçesionin.