E Diel, 1 Nëntor 2026

Luftë brenda PD-së, Kokalari plas akuzat: Gara është manipuluar për Sali Berishën

Evi Kokalari ka reaguar ashpër pasi Partia Demokratike publikoi kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për kreun e kësaj force politike vetëm 24 orë para përfundimit të afatit për dorëzimin e kërkesave.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kokalari akuzoi drejtpërdrejt Shkëlzen Berishën, duke pretenduar se kriteret janë firmosur që më 18 mars, por janë mbajtur të fshehta dhe publikuar me vonesë të qëllimshme për të penguar kandidatët e tjerë që të futen në garë kundër Sali Berishës.

Ajo theksoi se diferenca 6-orëshe me SHBA-në, ku ndodhet aktualisht, e bën afatin edhe më absurd, ndërsa e cilësoi procesin si të manipuluar.

Megjithatë, Kokalari paralajmëroi se do ta dorëzojë kandidaturën brenda afatit dhe do të përballet me Berishën në garë.

Në reagimin e saj, ajo sulmoi edhe Albana Vokshin dhe Gazment Bardhin, duke i akuzuar për manipulim votash dhe për “marrje peng” të Partisë Demokratike.

Kokalari paralajmëroi gjithashtu se betejën politike kundër drejtuesve aktualë të PD-së do ta çojë jo vetëm në SHBA, por edhe në Bashkimin Europian, duke deklaruar se Partia Popullore Europiane (EPP) do të mësojë shumë shpejt, sipas saj, se çfarë ka ndodhur brenda PD-së ndër vite.

Reagimi i Kokalarit:

Pra, Shkelzen Berisha, kriteret për aplikim publikohen në mesditë dhe afati është të nesërmen në 12:00 — ndërkohë që janë firmosur që më 18 mars, përpara se kërkesa ime t’ju vinte zyrtarisht.

Me diferencën 6-orëshe me SHBA-në, kjo përkthehet në një afat absurd dhe të qëllimshëm.

Sidoqoftë, do ta dorëzoj kandidaturën sipas “kritereve” që keni ndryshuar ti, babai yt, Albana Vokshi — e cila nuk është zgjedhur asnjëherë me votë dhe do të penalizohet në të ardhmen për manipulimin e pastër të votave dhe bashkëpunimin me ju për marrjen peng të PD-së — si dhe Gaz Bardhi, i cili është në një pozicion shumë më të keq se Vokshi dhe nuk ka qenë pjesë e Rithemelimit që mundësoi marrjen e PD-së. Madje, së bashku me Babalën, helmuan demokratët dhe blinduan selinë për të dëmtuar misionin tonë.

Dhe tashmë, ata janë në krye, ndërsa ne, që ishim arsyeja pse e morët atë parti, po luftohemi.

Gjithsesi, nesër do ta dorëzoj kandidaturën siç duhet dhe jeni të paralajmëruar — I know exactly what you’re doing, and so do others.

Së shpejti, përveç SHBA-së, luftën kundër jush do ta çoj edhe në BE, dhe EPP do të mësojë shumë shpejt kush është Albana Vokshi dhe si ka vjedhur dhe manipuluar votat në PD për dekada me radhë. I njëjti prezantim do t’i bëhet edhe Sali Berishës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›