Luftëtari i lirisë, Jon Harrison
Historia e ushtarakut britanik, që pasi shërbeu në Irlandë dhe Lindje të Mesme gjatë Luftës së Parë të Gjirit Persik, braktisi forcat mbretërore dhe pagën e lartë për të luftuar kundër forcave të Millosheviçit në Kroaci dhe Kosovë
Kosova, dashuri përtej vdekjes
Rozafa Kelmendi
Republika e Kosovës këtë të martë festoi pesëvjetorin e miratimit të Kushtetutës.
Që qytetarët e saj festuan të lirë, është meritë edhe e britanikut Jon Harrison.
Ish-pjesëtari i Forcave Mbretërore Britanike (RAF) braktisi gjithçka që kishte në atdheun e tij, për tu dalë në krah ushtarëve që po luftonin për lirinë e atdheut të tyre.
Në vitin 1999, Jon Harrison la shtëpinë e tij dhe erdhi për të luftuar në Kosovë.
E kam marrë këtë vendim bazuar në një pyetje që ia kam bërë vetes para se të shkoja në Kroaci, në vitin 1991. Unë jam lindur me lirinë time, kush jam unë që të mos ngrihem krahas atyre që luftojnë për lirinë e tyre? Kështu që e mora vendimin shumë lehtë, pasi kisha shërbyer në ushtrinë kroate për 6 vjet, duke luftuar kundër serbëve. Prandaj e dija se çfarë ishin ata në fushën e betejës dhe se sa çnjerëzorë mund të jenë, rrëfen Harrison.
Ai i dha fund një pune të paguar shumë mirë në Londër, la shtëpinë dhe shiti të gjitha sendet e tij personale, pasi nuk priste që do të kthehej, për shkak të natyrës së mjedisit ku do të shkonte.
Kishte dëgjuar në lidhje me situatën në Kosovë në vitin 1991, kur Millosheviçi mbajti fjalimin e tij duke u zotuar për serbët, se kurrë nuk do të jenë të skllavëruar, dhe në kohën kur ai kishte lënë ushtrinë kroate, kishte dëgjuar për aktet e dhunës nga serbët mbi fqinjët e tyre kosovarë.
Harrison braktisi RAF fillimisht kur u bashkua me luftën në Kroaci për gjashtë vite, për tu rikthyer në Ballkan pas dy vitesh, në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Pasi kam vënë kontakt me personin e duhur në Londër, brenda dy javësh kam shitur gjithçka që kisha, makinën dhe të gjitha mobiliet. I dhashë fund një lidhje dashurie dyvjeçare për të ardhur në Kosovë, kaq shumë do të thoshte kjo për mua, kujton ai katërmbëdhjetë vite më pas, duke vazhduar:
Kam ardhur në Durrës dhe prej aty kam vazhduar për në Tiranë, prej nga pas afro 48 orësh jam transportuar për në Papaj, afër Koshares. Më është caktuar detyra e vlerësimit dhe trajnimit si dhe të ndihmoja trajnimin e njësisë Delta për Brigadën 138. Pas dhjetë ditësh, me Sami Gecaj përkrah, kam marrë përsipër trajnimin e njësisë Delta.
Ai ka rrezikuar jetën e tij për të shërbyer si instruktor për Brigadën 138, gjë që do ta bënte sërish, po ti kërkohej: Atëherë dhe sot unë do ta vija jetën time në duart e njerëzve që i kam trajnuar dhe ata që më njihnin në Papaj. Unë sot do të qëndroja krah për krah me çdo njërin nga ata burra nëse do të kërkonin ndihmën time. Edhe sot jap jetën për Republikën e Kosovës.
Si instruktor, ai ka kaluar me çdo grup ushtarësh kohë relativisht të shkurtër, ndërsa kishte shumë informacione që duhej tu jepte, por beson se do tu ketë shërbyer pothuajse të gjithëve, meqë ata tani kanë krijuar familje:
Kjo është një gjë të cilën unë shpresoj ta kem arritur, meqë shpresoj se kam shpëtuar jetët e tyre, duke u dhënë aftësi për të qëndruar gjallë. Disa janë ende në ushtrinë dhe policinë kosovare, gjë që sjell ngrohtësi në zemrën time!.
Duke folur për çastet e rënda të përjetuara në Kosovë, ai kujton:
Për çdo oficer në krye të burrave në luftë, koha më e keqe që mund të vuajë është kur humb jetën ndonjëri prej burrave. Kam humbur një ushtar që e kisha trajnuar, gjë që më goditi rëndë. Po ashtu, koha kur kemi humbur nënkomandantin tonë, pasi është vrarë me një tjetër anëtar nga Delta, ka lënduar të gjithë grupin, por ne kemi vazhduar para, pasi ishte ajo që duhej bërë. Dhe ata e kanë bërë këtë me kokat lart dhe jam krenar për secilin prej tyre.
Nga lufta e Kosovës, Harrison bart me vete edhe kujtime të bukura, që dhe sot zgjojnë emocione të fuqishme.
Një herë kishte shkuar në një kamp për rekrutë të rinj, dhe pas disa orësh ngasje me makinë, kishin ndaluar në një terren trajnimesh të policëve, rekrutë të rinj të UÇK-së.
Kemi qëndruar me komandantin për më shumë se dy orë, duke shpjeguar se çka bëjmë ne dhe se çfarë na duhet. Derisa po largoheshim, komandanti kishte urdhëruar rojet e nderit që të qëndronin tek porta për mua, dhe tetë policë në uniformë qëndronin në të dy anët e automjetit, duke na nderuar ushtarakisht derisa ne largoheshim. Unë nuk jam ndier më i nderuar kurrë në jetën time. Nuk jam njeri që qaj, por kisha lot në sy gjatë shfaqjes së respektit ndaj meje, një askushi nga një vend i huaj.
Nga gjithë ajo që ka jetuar në Kosovë, Harrison veçon një ditë në Junik: Kur ne u zhvendosëm në Junik, pashë të gjithë Brigadën 138 duke qeshur dhe duke u gëzuar, pasi ne kishim fituar. Ky është një imazh që asgjë nuk mund ta largojë nga kujtesa ime.
Atij iu nevojit ca kohë për tu kthyer përsëri në jetën civile në Britani dhe atëherë e sot i mungon ritmi dhe rutina e jetës ushtarake. Ishte shumë e vështirë për mua të filloja jetën përsëri në Angli. Nuk kisha para për asgjë, e nuk kam familje të ngushtë, kështu që kishte shumë pak njerëz të cilëve mund tiu kthehesha në ditët e para, tregon ai duke shtuar se ka hasur të njëjtën gjë edhe kur u kthye nga Kroacia.
Pasi ka mbaruar lufta për lirinë e Kosovës, Harrison vazhdon betejat për ta bërë të njohur të vërtetën: Shumica e njerëzve në këtë vend e kanë të vështirë të kuptojnë për Kosovën dhe Ballkanin në përgjithësi. Por unë përpiqem ti mësoj për luftën e Kosovës dhe atë që ka kaluar për të drejtën e saj për liri.
Ai iu rikthye Kosovës në vitin 2008, në një tjetër moment gëzimi historik, kur Kosova u shpall republikë e pavarur nën flamurin e saj.
Në vitin 2008, dy ditë pas shpalljes së pavarësisë se Kosovës, u organizua një mbrëmje për të gjithë anëtarët e Brigadës 138, ku festoi edhe Harrison, bashkë me burrat që i kishte pasur në krah në fushëbetejë. Ai pa Parlamentin e Kosovës tek shpalli pavarësinë ndërsa festimet i cilëson si mahnitëse, pasi asnjëherë nuk kishte parë dhe përjetuar më shumë lumturi, se ajo nga turma e mbledhur në Prishtinë.
Po ashtu është nënshkruar në Newborn, duke iu falënderuar dizajnerit të monumentit, Fisnik Ismaili, me të cilin kishte ardhur bashkë nga Britania në Brigadën 138, i cili ishte ndër të paktët që flisnin anglisht.
Harrison kishte një takim shumë të veçantë me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili e nderoi me medaljen Luftëtar i Lirisë Adem Jashari, gjë që është pasuria e tij më e çmuar.
Ky luftëtar i lirisë është shumë krenar kur mendon se ka ndihmuar njerëzit e Kosovës që të shohin ditën që për një kohë të gjatë ishte ëndërr: Deri ditën kur të vdes, do të jem krenar që kam luajtur një rol të vogël në luftën e saj.
Përvoja e luftës në Kosovë e ka mësuar shumë atë:
Më riktheu besimin në humanitetin e atyre që në kohërat më të vështira të jetës, arrinin të buzëqeshnin. Unë skam parë asnjëherë dikë që ka ardhur në Papaj, të ankohej për kushtet në të cilat ishim apo municionet që kishim. Ata kishin zemër dhe pasion, që unë gjithmonë i bart me vete edhe më shumë tani që jam i diagnostifikuar me kancer
Dashuria e tij për Kosovën, tejkalon edhe vdekjen: Pasi të kem vdekur, unë dua të më digjet trupi, pasi kam rregulluar gjithçka që hiri im të ndahet në tri pjesë. Një do të mbetet këtu në Angli, një pjesë e imja në Kroaci, e një pjesë në Kosovë, pasi unë mund të jem anglez për nga lindja, por zemra ime i takon Republikës së Kroacisë dhe Kosovës.
Ai ka ndërmend të vizitojë Kosovën së paku edhe n