Luftuan me zjarret, Qeveria shpërblen zjarrfikësit, efektivët e FA, Policisë së Shtetit dhe Mbrojtjen Civile: 1 deri në 3 rroga

Efektivët e Frocave të Armatosura, Policisë së Shtetit, Mbrojtjes Civile dhe shërbimeve zjarrfikëse do të shpërblehen me 1 deri në 3 rroga mujore për përpjekjet e tyre në luftën për shuarjen e zjarreve që përfshinë vendin. Vendimi u mor këtë të martë (2 shtator) nga Këshilli i Ministrave.
Sipas vendimit, shpërblimi do të përcaktohet në varësi të kohëzgjatjes së angazhimit të tyre në operacionet e shuarjes së zjarreve.
Për angazhim nga 1 deri në 7 ditë, do të jepet shpërblim në masën e 1 page mujore. Për ata të cilët luftuan me flakët nga 8 deri në 15 ditë, do të jepet shpërblim në masën e 2 pagave mujore. Me 3 paga mujore do të shpërblehen ata të cilët janë angazhuar për shuarjen e flakëve më shumë se 16 ditë. Shpërblimi do të llogaritet mbi bazën e pagës mujore bruto.
Disa ditë më parë, kryeministri Edi Rama nderoi me medalje 24 ushtarakë, zjarrfikës e policë që u angazhuan në luftën me zjarret që përfshinë vendin tonë këtë verë. Kryeministri vlerësoi sakrificat e kryera prej tyre në betejën me flakët, për të cilët tha se “lartësuan vendin”.
Vendi u përfshi për disa javë nga zjarre të fuqishme që shkaktuan dëme të mëdha. Qarqet më të prekura janë Vlora, Elbasani dhe Berati. Qeveria ka deklaruar se do të ofrojë një paketë mbështetëse për dëmet që u janë shkaktuar qytetarëve. Kryeministri Edi Rama ka theksuar vazhdimisht se kushdo që humbi shtëpinë si pasojë e flakëve do t’i rindërtohet falas e po ashtu, qytetarët do të rifinancohen edhe për humbjet në bagëti.
/rtsh.al/