“Luigj Gurakuqi” dhe “Marin Barleti”, kampionët e universiteteve

Universiteti “Luigj Gurakuqi” Shkodër dhe Universiteti “Marin Barleti” Tiranë janë kampionët e futbollit për vitin 2022. Finalet janë mbyllur mes entuziasmit jo vetëm të atyre që ishin në fushë, por dhe tifozëve të pranishëm në tribunat e kompleksit “Football Republic” në kryeqytet, atje ku emocionet kanë qenë të mëdha. Por jo vetëm emocionet, por dhe debatet, ndërsa fundi me Fair-Play nga të gjitha palët e pranishme në këto finale ka ulur siparin e një kampionat, që hap perspektivën për më shumë aktivitetet të sportit universitar. Presidenti i Federatës Shqiptare të Sportit Universitar, Besnik Veliu, kishte dëshirë që në finale të ishte dhe ndonjë skuadër ndryshe nga ato që ishin në fushën e lojës, ndonëse gjithçka mbetet për vitin e ardhshëm.
Në finalen e femrave, atje ku janë përballur Universiteti “Luigj Gurakuqi” Shkodër dhe Universiteti i Sporteve në Tiranë janë dashur gjuajtjet nga pika e bardhë e penalltive për të shpallur fituesin, ndërsa koha e rregullt pat përfunduar në barazim 0-0. 4-2 për shkodranet.
Simboli i përfaqësueses së futbollit të femrave të Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkodër ishte lojtarja e Vllaznisë, Paola Jaku. Jo më kot ka qenë i pranishëm dhe presidenti i futbollit të vajzave kuqeblu, Lazër Matija.
E pas vajzave e ka patur radhën finalja e meshkujve, atje ku përballë shkodranëve ishte Universiteti “Marin Barleti”. 3-0 për djemtë e Universitetit “Marin Barleti”, ndërsa shënoi një dygolësh Silvester Shkalla e më pas dhe Selmani.
Por penalltia e dhënë për Universitetin “Marin Barleti” ka hasur në kundërshtimin e shkodranëve, të cilët kanë tentuar të largohen nga fusha. Ndërhyrjet e të gjitha palëve kanë qetësuar situatën, ndërsa Shkalla fillimisht e ka humbur e më pas e ka dërguar topin në rrjetë pas kthimit nga portieri.
Medaljet për fituesit dhe skuadrat e vendit të dytë, si dhe kupat janë shpërndarë nga CEO i Tirana Youth European, Aspasiana Kongo. Kështu kampionati i futbollit i sportit universitar ka ulur siparin, ndërsa loja e topkëmbës njohu dhe të tilla nivele.