E Enjte, 5 Nëntor 2026

Luiza Gega, rekord të ri kombëtar në Hengelo

Luiza Gega vjen me rekord të ri kombëtar nga Hengelo e Holandës në një tjetër stacion të World Tour në Atletikë. 9’15”48 rezultati i saj në 3000 metra me pengesa, që është njëkohësisht dhe rekordi i saj personal, ndërsa e ka përmirësuar rekordin e Shqipërisë me 4 sekonda e 45 të qindtat. I mëparshmi ishte 9’19”93 thyer në Kampionatin Botëror të Dohas.

Madje krahasuar me garën e parë të sezonit në Mançester, atje ku theu rekordin e stadiumit dhe të mitingut me 9’20”79, ka një përmirësim prej 5 sekondash e 31 të qindtat. Pra një formë e jashtëzakonshme çka konfirmon kapjen e të gjitha normave për garat e vitit 2023, apo pse jo dhe për Lojërat Olimpike “Paris 2024” nëse do të ishte që tani, sepse norma është 9’30”00.

Gjithsesi kjo kohë e sotme e rendit të shtatën në Botë, çfarë i vjen mirë jo vetëm Gegës, por dhe trajnerit të saj Taulant Stërmasi. E dyta në Hengelo, por me rekord të ri kombëtar dhe personal, Gega është në kulmin e saj më të mirë të formës sportive, çfarë premton shumë për vazhdimin e garave ndërkombëtare.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›