E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Lumenj” kokaine nga Amerika e Jugut në Itali, goditet klani Barbaro! Si transportohej droga me ndihmën e shqiptarëve

Një “rrjet kriminal” me bazë në Lombardi, me degëzime në Gjermani, Holandë, Spanjë, Mbretërinë e Bashkuar, Kolumbi dhe Brazil, u godit nga autoritetet italiane.

Grupi kriminal mbante kontakte të drejtpërdrejta me ndërmjetës dhe furnizues të kokainës me origjinë shqiptarë.

Kokaina me vlerë 27 milionë euro mbërriti nga Amerika e Jugut në Lombardi me kontejnerë.

Gjatë operacionit u ekzekutuan 28 masa sigurie, 25 “arrest me burg” dhe 3 “arrest shtëpie”. Gjashtë prej të arrestuarve janë shqiptarë.

Anëtarët e grupit i përkisnin një organizate kriminale të armatosur, e cila ishte e përbërë nga individë të lidhur me “’Ndranghetën e Lokridës”, konkretisht klanin Barbaro. Këta persona, me role të ndryshme dhe me mbështetjen e individëve të lidhur me qarqe kriminale shqiptare, kanë planifikuar, drejtuar, financuar, organizuar dhe kryer trafik ndërkombëtar të drogës.

Ndër personat ndaj të cilëve është vendosur masa paraprake për veprën e pastrimit të parave është edhe një shtetas kinez. Sipas prokurorit të Milanos, Marcello Viola, ky person, duke vepruar si ndërrues parash, i mundësoi organizatës kriminale kryerjen e pagesave për dërgesat e drogës përmes sistemit informal të transferimit të parave të njohur si “Fei Ch’ien”.

Bastisja nga Guardia di Finanza

Kërkimet janë duke u zhvilluar në provincat e Milanos, Pavia, Bergamo, Como, Parma, Imperia, Romë, Taranto dhe Reggio Calabria, “me ndihmën e qenve dhe njësive antidrogë të Guardia di Finanza”.

Karteli i kokainës

Hetimi i DDA-së, i zhvilluar nga GICO (Njësia e Operacioneve Speciale) e Guardia di Finanza-s, zbuloi një “trekëndësh” marrëveshjesh mes anëtarëve të grupeve të krimit të organizuar në Kalabri, Lombardi dhe Kampania, i cili synonte lehtësimin e importit të sasive të mëdha të narkotikëve nga Amerika e Jugut.

Gjatë hetimit u identifikua një “rrjet kriminal” me qendër në Lombardi, me shtrirje në Gjermani, Holandë, Spanjë, Mbretërinë e Bashkuar, Kolumbi dhe Brazil. Ky rrjet, duke përdorur pajisje të sofistikuara për dërgimin e mesazheve të enkriptuara, shfrytëzonte kontaktet e drejtpërdrejta me ndërmjetës dhe furnizues shqiptarë të kokainës që vepronin në Amerikën e Jugut.

Rruga detare

Droga mbërriti me anije në portet e Livornos, Roterdamit, Gioia Tauro dhe Le Havre duke përdorur të ashtuquajturën teknikë “grabitjeje”, ku droga fshihet brenda kontejnerëve të përdorur për transport të ligjshëm tregtar nga deti.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›