Lunaçek: Liberalizimi çështje vitesh

Pavarësisht hapave të rëndësishëm, heqja e regjimit të vizave për kosovarët nuk është çështje muajsh, por vitesh. Kështu deklaroi sot në Prishtinë raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, pas një takimi me zyrtarë të lartë të Qeverisë.
Ajo u shpreh optimiste se deri më tani janë bërë disa hapa të rëndësishëm dhe paralajmëroi se Komisioni Evropian, së bashku me Qeverinë e Kosovës, do të krijojnë një plan aktiv dhe pastaj të fillohet me implementim.
“Unë jam optimiste që deri më tani janë bërë disa hapa që të arrihet deri te liberalizimi i vizave në vitet e ardhshme, por jo në muajt e ardhshëm dhe me vjen keq që duhet ta them këtë, por kjo është e vërtetë, por jam shumë e lumtur që në mbledhjen e fundit të Komisionit Evropian është dhënë një dritë e gjelbër që të fillohet një dialog për viza ndërmjet autoriteteve kosovare, në mënyrë që të krijojë në udhëzues ku do të parashihen objektivat që duhet të përmbushen për futjen në liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, tha Lunaçek, pas takimit me zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi.
Nga ana e tij, Kuçi pret që gjatë vitit 2010 të plotësohen kushtet që kërkohen nga Kosova për liberalizimin e vizave, ndërsa më 2011 të merret vendimi nga Bashkimi Evropian.
“Ne jemi të koncentruar që dhënies së dritës së gjelbër t’i plotësojmë kushtet që jepen për ne. Do të ulemi bashkë në Komisionin Evropian të shikojmë obligimet tona. Unë ashtu e kam definuar që vitit 2010 do të jetë vit i definimit dhe plotësimit të kushteve që kërkohen nga Kosova, ndërsa viti 2011 do të jetë vit i vendimit nga organet e Unionit Evropian për liberalizimin e vizave”, ka thënë Kuçi.