Lushnjë- Berisha prezanton kandidatët e PD-së: Programi “Shqipëria Madhështore”, fillon nga zemra dhe dhembshuria për njeriun

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë të mërkurën në prezantimin e kandidatëve për deputetë të PD-së në qytetin e Lushnjës, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025. .
Që në fillim të fjalës së tij, Berisha deklaroi se të krahasosh kandidatët e opozitës me ata të qeverisë “është si të krahasosh ditën me natën”.
Berisha i ftoi lushnjarët të mbështesin kandidatët e PD, duke theksuar rëndësinë e qëndresës ndaj sfidave të shumta që përballen.
Sipas tij, PD-ja vjen në këto zgjedhje me programin më të mire, që shqiptarët nuk e kanë njohur kurrë më parë dhe se programi “Shqipëria Madhështore”, fillon nga zemra dhe dhembshuria për njeriun.
“Do t’i japim fund mjerimit dhe numërimit të kafshatës. Do t’u japim kartën e konsumatorit, ku ushqimet do të blihen 20% më lirë se ata me rroga të mesme dhe të larta,” tha Berisha
Ai theksoi angazhimin e PD për të ndihmuar qytetarët, duke premtuar që në tre muajt e parë çdo shqiptar që fiton nën 200 euro do të marrë 200 euro ndihmë. Berisha përmendi gjithashtu mbështetje për pensionistët, të papunët, studentët me bursë dhe të gjithë ata që përballen me vështirësi ekonomike.
Berisha premtoi në Lushnjë edhe rimbursimin 100% të ilaçeve, si dhe analiza shëndetësore falas për pensionistët dy herë në vit, duke siguruar se lista e barnave do të jetë identike me atë të Italisë.
“Rrogë minimale nën 500 euro nuk do të ketë më,” theksoi ai, duke siguruar sipërmarrësit se “do të kompensohet me ulje taksash për rritjen e rrogave të punonjësve”.
Ai, në fjalën e tij, kritikoi ashpër qeverinë, veçanërisht të zv/kryeministren Belinda Balluku, e cila është edhe drejtuese politike e Qarkut të Fierit për PS-në.
“Lubi Balluku, që po ju kërkon votën, ka bërë një tender prej 10 mijë eurosh për të pastruar makinën e saj çdo ditë. Ajo duhet të shkojë në një lavazh që nuk është më larg se 2 kilometra,” deklaroi Berisha.
Berisha tha se “qeveria do ketë fondin e kompensimit me çmimin bazë të të gjithë dëmtimeve që vijnë nga faktorë natyrorë ose stoku i mbiprodhimit dhe mosshitja e tyre”.
“E deklaroj këtu botërisht se do të mbrojmë në çdo sezon prodhimet tuaja. Çdo vend e bën këtë, përveç Shqipërisë sot. Po, do t’i mbrojmë ato. Çdo vend i mbron. 2 mijë tonë patate iu kalbën një fermeri në Pogradec për shkak të Ballkanit të Hapur. Mijëra ferma falimentuan”, tha Berisha.
/rtsh.al/