Lypja në rrugët e Shkodrës, institucionet në alarm për shfrytëzimin e fëmijëve

Sezoni veror mbetet një nga periudhat më sfiduese për Shërbimin Social në Bashkinë Shkodër. Drejtuesja e këtij shërbimi, Edita Shoshi, tregon se gjatë muajve të verës dhjetëra familje nga komunitete të ndryshme vijnë në qytet vetëm për të lypur.
Përballë kësaj situate, krahas fushatave ndërgjegjësuese, janë zhvilluar edhe aksione të vazhdueshme në terren, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse.
“Bashkia Shkodër është një ndër bashkitë e cila ka prurjen më të madhe të familjeve apo të personave nga komuniteti rom të cilët vijnë në qytetin tonë vetëm për të ushtruar aktivitetin e lypjes. Kjo na vë përpara disa sfidave shumë të mëdha. Është krijuar një task-forcë midis policisë bashkiake, policisë së rendit dhe punonjësve të shërbimit social, të cilët çdo darkë janë në terren në patrullim për të kuptuar dhe për të evituar rastet e shfrytëzimit të fëmijëve”, tha ajo.
Gjatë kontrolleve janë evidentuar dhe proceduar raste ku të rritur i përdorin fëmijët për të kërkuar lëmoshë, duke i privuar nga të drejtat e tyre dhe duke i ekspozuar ndaj formave të ndryshme të abuzimit.
“Ka pasur raste të cilat janë shoqëruar në polici dhe kanë qenë me fëmijë të cilët i është komunikuar vepra penale, i është komunikuar dhe përgjegjësia dhe deri në largimin e fëmijëve nga familja”, tha ajo.
Shërbimi Social u bën apel qytetarëve të mos japin lëmoshë në rrugë. Edhe pse ky veprim mund të duket si ndihmë, në shumë raste ai ushqen një fenomen ku pas fëmijëve dhe personave që lypin fshihen të rritur që i shfrytëzojnë për përfitime financiare. Denoncimi i rasteve dhe bashkëpunimi me institucionet mbeten mënyra më e mirë për të mbrojtur fëmijët dhe për të luftuar këtë fenomen.
Gazetar: M Gjoni
/rtsh.al/