E Diel, 1 Nëntor 2026

MEDIA – Finlanda mbyll agjencinë më të vjetër të lajmeve, pas gati 140 vitesh

HELSINKI, 29 tetor /ATSH-DPA/- Agjencia finlandeze e lajmeve STT, e themeluar gati 140 vjet më parë, do të ndërpresë shërbimet e saj të lajmeve dhe fotografive më 31 mars 2027, për shkak të vështirësive financiare. Lajmi u konfirmua sot nga vetë agjencia.

Megjithatë, një pjesë e aktivitetit të saj, e quajtur “Shërbimet e Komunikimit të STT-së”, do të vijojë punën. Kjo njësi merret me shpërndarjen e njoftimeve për shtyp.

Sipas agjencisë, pritet të humbasin vendet e punës 89 punonjës, mes tyre 68 gazetarë.

Gjithashtu, do të përfundojnë edhe 30 kontrata pune me afat të caktuar ose marrëveshje bashkëpunimi.

Drejtori i përgjithshëm i STT-së, Kimmo Laaksonen, e cilësoi mbylljen e agjencisë, e themeluar në vitin 1887, si një tragjedi për të gjithë shoqërinë finlandeze.

Me mbylljen e saj, Finlanda do të jetë një nga vendet e pakta evropiane, që nuk do të ketë më një agjenci kombëtare lajmesh.

Në shtator, STT njoftoi se synonte të riorganizonte aktivitetin e saj. Tani, agjencia shpjegoi se vendimi për mbylljen e shërbimeve të lajmeve dhe fotografive, erdhi për shkak të humbjeve të vazhdueshme financiare dhe dështimit për të gjetur një numër të mjaftueshëm pronarësh, të gatshëm të investonin në zhvillimin e saj.

Aksioneri dhe klienti më i madh i STT-së, kompania mediatike “Sanoma Media Finland”, njoftoi vitin e kaluar se do të reduktonte ndjeshëm përdorimin e shërbimeve të agjencisë.

Në përgjigje të kësaj situate, qeveria finlandeze i ofroi STT-së një ndihmë financiare prej rreth 1 milion eurosh.

Megjithatë, sipas transmetuesit publik finlandez “Yle”, agjencia nuk i pranoi paratë, pasi kjo shumë nuk do të mjaftonte për të mbajtur në funksionim aktivitetin e saj. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›