E Diel, 1 Nëntor 2026

METEO – Spanja dhe Portugalia në alarm nga stuhitë, dëme të mëdha në infrastrukturë

MADRID, 13 shkurt /ATSH/- Pjesë të mëdha të Spanjës dhe Portugalisë janë vendosur në alarm të lartë për shkak të reshjeve intensive dhe erërave të forta që kanë goditur dy vendet, duke rrëzuar pemë, ndërprerë transportin dhe detyruar mbylljen e shkollave, sipas “Reuters”.

Në Portugali, një viadukt në autostradën A1, që lidh kryeqytetin Lisbonë me qytetin e Portos, u shemb pjesërisht pranë qytetit të Koimbrës.

Sipas ministrit të Infrastrukturës, Miguel Pinto Luz, i cili vizitoi vendngjarjen, situata ishte e pazakontë për shkak të “shpejtësisë dhe forcës së ujit”.

Autoritetet konfirmuan se nuk ka të plagosur, por paralajmëruan se mund të duhen javë të tëra për ta rikthyer infrastrukturën në funksion të plotë.

Segmenti i autostradës ishte mbyllur në të dy drejtimet pak orë para shembjes, pas dëmtimit të një dige mbrojtëse.

Rreth 15 kamionë të ngarkuar me gurë dhe inerte u angazhuan për të përforcuar zonën e çarë dhe për të parandaluar erozionin.

Ngjarja vjen pas stuhive vdekjeprurëse që kanë goditur Portugalinë javët e fundit, duke shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë.

Pas stuhive “Kristin”, “Leonardo” dhe “Marta” – ciklone që shkaktuan dëme të konsiderueshme – Portugalia ndodhet sërish në alarm për shkak të rrezikut të përmbytjeve nga reshjet e dendura.

Një fenomen i njohur si “lumë atmosferik”, një korridor i gjerë avujsh uji që transporton sasi të mëdha lagështie nga tropikët, solli reshje të reja intensive, duke prekur veçanërisht veriun e vendit.

Instituti Portugez i Detit dhe Atmosferës (IPMA) njoftoi se stuhia “Oriana”, një tjetër depresion atlantik, nuk do të godasë drejtpërdrejt territorin kontinental, por pritet të sjellë reshje të dendura dhe erëra të forta në shumicën e zonave gjatë ditës së sotme dhe nesër.

Ministrja e Mjedisit, Maria da Graça Carvalho, deklaroi se vetëm në dy ditë, sasia e reshjeve ka arritur në 20% të mesatares vjetore të Portugalisë.

Ndërkohë, ministrja e Brendshme, Maria Lucia Amaral, dha dorëheqjen këtë javë dhe u zëvendësua nga Miguel Pinto Luz.

Qeveria pritet të përballet me pyetje në parlament lidhur me menaxhimin e krizës.

Edhe në Spanjë situata mbetet kritike. Një alarm i kuq – niveli më i lartë i paralajmërimit – u shpall për rajonet veriore të Galicias, Kantabrisë dhe Bask pas mbërritjes së stuhisë “Nils”, e teta që godet vendin këtë vit.

Agjencia meteorologjike AEMET paralajmëroi për dallgë që mund të arrijnë deri në nëntë metra.

Në Katalonjë, të paktën pesë persona u plagosën, një prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë.

Autoritetet mbyllën shkollat, pezulluan aktivitetet sportive dhe kufizuan shërbimet shëndetësore jo emergjente, ndërsa erërat me shpejtësi mbi 105 km/h rrëzuan pemë dhe shkaktuan ndërprerje në trafikun rrugor dhe hekurudhor.

Gadishulli Iberik konsiderohet ndër zonat më të prekura nga ndryshimet klimatike në Evropë, duke përjetuar valë të gjata të të nxehtit dhe episode gjithnjë e më të shpeshta e intensive të reshjeve ekstreme. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›