MIE: Probleme nga dëbora në disa akse rrugore, po punohet për hapjen e tyre

TIRANË, 10 janar/ATSH/ Strukturat nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) kanë vijuar punën në terren për normalizimin e situatës të shkaktuar nga përkeqësimi i motit.
Pavarësisht kushteve të vështira me reshje shiu dhe dëbore, ekipet e strukturave përkatëse kanë ndërhyrë kudo ku janë raportuar problematika.
Sipas informacionit të MIE-s, reshje dëbore janë regjistruar në akset: Bogë–Theth, Hani i Hotit–Vermosh, Qafë Mali–Fierzë, Surel–Qafë Priskë–Qafë Mollë, Elbasan–Gjinar, Ibë–Krrabë–Elbasan, Dardhë dhe Korçë–Voskopojë.
Akset me probleme janë Maliq–Moglicë, hyrja e rrugës nacionale në Himarë, Elbasan–Gjinar (shkarje skarpatash), Ersekë–Leskovik km 6, Kalimash–Fushë Dukagjin, Librazhd–Elbasan dhe Subash, Tepelenë–Gjirokastër.
Sa i takon furnizimit me energji elektrike, në rang vendi janë 22 fidera jashtë pune. Rajonet më të prekura janë Tirana (rrethinat), Lushnja dhe Gjirokastra. Të gjitha linjat 35 kV dhe nënstacionet, si dhe rrjeti që furnizon hidrovoret, funksionojnë normalisht.
Linja 220 kV Burrel–Elbasan 1 vazhdon të jetë e stakuar. Brigadat e OST-së janë në terren për riparimin e defektit. Konsumatorët nuk preken.
Situata në kaskadën e Drinit është: HEC Fierzësasia e prurjeve është 1200 m³/s; në HEC Koman: 350 m³/s; në HEC Vau i Dejës: 100 m³/s.
Lidhur me furnizimin me ujë, MIE bën të ditur se në qarkun Vlorë: Në zonat Trevllazër dhe Karbunarë po kryhen verifikime teknike për vijueshmërinë e shërbimit. Në Himarë është dëmtuar një tub me diametër 40 mm dhe po punohet për zëvendësimin e tij. Në qarqet e tjera nuk raportohen problematika.
Në Portin e Durrësit përpunimi në Terminalin Perëndimor, atë të Kontejnerëve dhe atë Lindor është ndërprerë, por tragetet akostojnë sipas orareve. Në Portin e Vlorës trageti me Brindisin është ankoruar në orar, vazhdon bllokimi i mjeteve të vogla brenda Gjirit të Vlorës. Trageti me Korfuzin nuk u nis nga Porti i Sarandës.
Ndërsa në aeroportin “Nënë Tereza” operimet vijojnë normalisht.
/e.xh/r.e/