E Diel, 1 Nëntor 2026

MOSKË – Peskov: Bisedimet me Ukrainën nuk do të ndalin sulmet, negociatat pritet të zhvillohen në Abu Dabi

MOSKË, 26 tetor /ATSH/ – Rusia ka deklaruar se rifillimi i negociatave trepalëshe me Ukrainën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të sjellë kufizime në operacionet ushtarake, ndërsa luftimet mes dy vendeve vazhdojnë, sipas “Reuters”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se ushtria ruse vijon sulmet masive ndaj objektivave të kompleksit ushtarako-industrial të Ukrainës, duke pretenduar se edhe pala ukrainase vazhdon operacionet e saj ushtarake.

Deklarata vjen pas njoftimit se negociatat e reja mes Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së janë planifikuar të zhvillohen në Abu Dabi, në gjysmën e parë të nëntorit.

Kremlini ka bërë të ditur se bisedimet do të zhvillohen në formatin tripalësh dhe do të përqendrohen te çështjet e sigurisë pas përfundimit të luftës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka shprehur mbështetjen për rifillimin e negociatave, duke theksuar se synimi është përfundimi i luftës dhe përgatitja e një takimi mes udhëheqësve të vendeve përkatëse.

Bisedimet e mëparshme të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, nuk arritën të sillnin një marrëveshje për përfundimin e konfliktit, ndërsa çështjet territoriale dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën mbeten pengesa kryesore. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›