E Diel, 1 Nëntor 2026

MOSKË – Rusia akuzon NATO-n për militarizimin e Arktikut

MOSKË, 16 janar /ATSH-DPA/ – Ambasadori rus në Danimarkë ka akuzuar NATO-n se po përpiqet të militarizojë Arktikun në përgjigje të kërkesave të SHBA-së për kontroll mbi territorin kryesisht autonom të Groenlandës, i cili është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës.

‘’Vendet e NATO-s, përfshirë Danimarkën, po përdorin spektrin e një kërcënimi rus ose kinez për të zgjeruar praninë e tyre ushtarake në rajon’’, theksoi ambasadori Vladimir Barbin.

Barbin tha se Kopenhageni po ndjek një qasje konfrontuese duke angazhuar NATO-n, duke shkaktuar tensione të rritura ushtarake në Arktik.

“Rusia nuk ka plane agresive kundër fqinjëve të saj në Arktik, nuk i kërcënon ata me veprime ushtarake dhe nuk kërkon të pushtojë territorin e tyre”, tha Barbin.

Moska më parë ka paralajmëruar kundër neglizhimit të interesave të saj në Arktik.

Rusia, me vijën e saj të gjatë bregdetare veriore në Oqeanin Arktik, e konsideron Arktikun sferën e saj të interesit.

Moska po shfrytëzon gjithnjë e më shumë korridoret detare në rajon dhe po zgjeron praninë e saj ushtarake.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka shtyrë Uashingtonin të marrë kontrollin e territorit danez të pasur me burime, duke përmendur shqetësimet rajonale të sigurisë dhe kërcënimet e perceptuara nga Kina dhe Rusia.   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›