E Enjte, 5 Nëntor 2026

MOSKË – Rusia forcon marinën mes tensioneve me Perëndimin

MOSKË, 24 korrik /ATSH-DPA/- Rusia ka planifikuar të forcojë masivisht marinën e saj në sfondin e tensioneve me Perëndimin.

“SHBA-js dhe vendet e tjera të NATO-s po zgjerojnë praninë e tyre ushtarake detare në oqeanet e botës, duke përfshirë ujërat që kufizohen drejtpërdrejt me Rusinë”, tha Nikolai Patrushev, një këshilltar i ngushtë i presidentit Vladimir Putin dhe ish-shefi i shërbimeve sekrete të vendit.

“Rusia duhet të modernizojë flotën e saj – pasi rrugët tregtare po bllokohen dhe anijet e mallrave dhe pasagjerëve të vendeve të pavarura po ndalohen, kontrollohen dhe në disa raste konfiskohen nën pretekstin e luftës kundër piraterisë”, tha ai.

“Sigurimi i gatishmërisë së vazhdueshme të flotës sonë për të penguar dhe parandaluar konfliktet ushtarake – dhe për të mbrojtur vendin tonë në përputhje me normat ndërkombëtare mbetet e nevojshme,” tha Patrushev.

Putin kishte urdhëruar që dokumentet strategjike për zhvillimin e marinës të rishikoheshin dhe udhëzimet përkatëse u ishin dërguar ministrive dhe kompanive të ndërtimit të anijeve. Detajet e programit të armatimit detar nuk u zbuluan.

Rusia po përdor marinën e saj në luftën e saj kundër Ukrainës, e cila po vazhdon për më shumë se dy vjet.

Anijet nga Flota e Detit të Zi dhe flotilja në Detin Kaspik lëshojnë rregullisht raketa në qytete dhe objektiva të tjerë në Ukrainë.

Pas humbjeve të mëdha – siç është fundosja e anijes flamurtare Moskva – pjesa kryesore e Flotës së Detit të Zi është tërhequr nga baza e saj në gadishullin e Krimesë, e cila është aneksuar që nga viti 2014, në Novorossiysk në rajonin e Krasnodarit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›