MPJ përshëndet rezultatet e Komisionit të Partneritetit të Kartës së Adriatikut-SHBA
“Perspektiva e anëtarësimit në NATO nxit realizimin e reformave në vendet e Ballkanit Perëndimor”
Dje në Zagreb mbajt Komisioni i Partneritetit të Kartës së Adriatikut-SHBA. Në këtë takim morën pjesë delegacionet e vendeve anëtare të Kartës: Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnjë&Hercegovina dhe SHBA, si dhe Kosova e Serbia. Gjatë takimit pjesëmarrësit vlerësuan se perspektiva e anëtarësimit në NATO nxit realizimin e reformave të nevojshme në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ata shprehën qëndrimin se NATO ka luajtur një rol të rëndësishëm në konsolidimin politik dhe stabilitetin e rajonit duke ndihmuar procesin e integrimit euro-atlantik të tij. Në përfundim të takimit u nënvizua se Karta e Adriatikut-SHBA, mbetet e hapur për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe, në këtë kuadër, u mirëprit prania e delegacioneve nga Kosova dhe Serbia, të cilat plotësojnë hartën rajonale të bashkëpunimit. Ministria e Punëve të Jashtme përshëndet rezultatet e këtij takimi, i cili dha një kontribut të veçantë në afrimin e të gjitha vendeve të rajonit, si dhe në bashkërendimin e përpjekjeve të tyre në drejtim të forcimit të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë. Mbledhja e djeshme shënoi një hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së aspiratës së vendeve të rajonit për t’u integruar drejt strukturave euro-atlantike.