E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

MV – Grubi tërhiqet nga jeta publike

SHKUP, 12 dhjetor /ATSH-MIA/ –  Ish-zëvendëskryeministri dhe anëtari i Bashkimit Demokratik për Integrim, i cili është vendosur në listën e zezë të SHBA-së, përmes rrjeteve sociale publikoi se tërhiqej nga jeta politike dhe se për këtë ka informuar edhe liderin e partisë, Ali Ahmeti.

Grubi njofton se është i pastër si loti, por ka vendosur të tërhiqet që të mos jetë barrë e dikujt dhe se vendimin e ka marrë për të kursyer familjen dhe ruajtur integritetin personal dhe politik.

“Ky është një vendim i vështirë, por i nevojshëm për të kursyer familjen dhe ruajtur integritetin tim personal dhe politik, si dhe për të mbështetur vazhdimësinë e punës dhe përkushtimit të liderit tonë, Ali Ahmeti”, shkruan Grubi.

Ai thotë se në gjithë veprimtarinë e tij publike ai është angazhuar pa kompromis për barazinë e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, për një rajon në paqe dhe të pajtuar, për integrimin e plotë në NATO, për një partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Këto janë vlera që nuk janë vetëm udhërrëfyesi im, por edhe obligimi që i kam ndjerë gjithmonë ndaj vendit dhe kombit tim. Arritjet tona, për të cilat jemi të gjithë dëshmitarë, nuk janë vetëm meritë e përkushtimit tim dhe shokëve, por edhe e mbështetjes së sinqertë dhe të vazhdueshme nga miqtë tanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Fakti kësaj sot Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-së dhe ka nisur bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian është dëshmi e qartë e këtij bashkëpunimi dhe përkushtimi të përbashkët. Por, çmimi i këtij angazhimi, një çmim që ka qenë gjithmonë në shërbim të vlerave dhe të drejtës, ka qenë i rëndë për mua dhe për familjen time”, shkruan Grubi.

”Unë mbetem gjithmonë i përkushtuar ndaj  vlerave dhe do të jem në krah të qytetarëve dhe si mbështetës i së mirës së përbashkët”, thotë ai./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›