E Diel, 1 Nëntor 2026

Macron: Franca shpreh solidaritet të plotë me Ukrainën, kërkon paqe të drejtë dhe të qëndrueshme

Presidenti francez Emmanuel Macron zhvilloi sot një bisedë telefonike me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë së cilës shprehu solidaritetin e plotë të Francës me Ukrainën përballë sulmeve ruse.

Sipas një deklarate të Pallatit Elize, Rusia, pavarësisht situatës në front, vijon të refuzojë thirrjet për armëpushim dhe ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës dhe popullsisë civile në Ukrainë.

“Ndërsa Rusia përballet me një ngërç në front, ajo refuzon të gjitha thirrjet për armëpushim dhe ka bërë zgjedhjen e papërgjegjshme për të intensifikuar sulmet kundër infrastrukturës ukrainase dhe popullsisë civile, duke shkelur të gjitha parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare humanitare”, thuhet në deklaratën e presidencës franceze.

Macron theksoi gjithashtu se Franca dhe vendet evropiane do të vijojnë mbështetjen për Ukrainën, me synimin për uljen e intensitetit të luftimeve dhe avancimin e përpjekjeve diplomatike.

“Franca dhe Evropa do të vazhdojnë të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre dhe të mbështesin Ukrainën, me qëllim qetësimin e armiqësive dhe avancimin e konsultimeve për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme që respekton pavarësinë dhe sigurinë e Ukrainës”, thuhet më tej në deklaratë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›