Magjia e festave zbret në Vlorë, ndizen dritat e fundvitit

Qyteti bregdetar i Vlorës ka ndezur zyrtarisht dritat e fundvitit, duke çelur siparin e festimeve për Krishtlindjen dhe Vitin e Ri.
Sipas gazetares së RTSH 24, qendra për këtë sezon festiv është sheshi “Tre Racat”, i cili është transformuar në një “Christmas Market” plot ngjyra dhe gjallëri.
Qindra qytetarë, banorë të Vlorës por edhe vizitorë të shumtë, janë mbledhur mbrëmjen e sotme për të shijuar ndezjen e dritave dhe atmosferën e ngrohtë.
Organizatorët kanë menduar për të gjitha grupmoshat. Hapësira festive ofron aktivitete të shumta argëtuese si për fëmijët, ashtu edhe për të rriturit. Vizitorët mund të shijojnë panairin me produkte autoktone; ambientet e konsumit; pistën e patinazhit.
Nisur nga sot, Marketi i Krishtlindjeve do të qëndrojë i hapur çdo ditë. Për të mbajtur gjallë atmosferën, Bashkia ka njoftuar se çdo mbrëmje do të organizohen koncerte me muzikë dhe performanca artistike.
/rtsh.al/