E Diel, 1 Nëntor 2026

Magjistratët lajmërojnë bllokimin e ligjit në Kushtetuese, mazhoranca e votoi mbrëmë në mesnatë

Magjistratët lajmërojnë bllokimin e ligjit në Kushtetuese, mazhoranca e votoi mbrëmë në mesnatë

Katër organizata të magjistratëve kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese kundër ligjit të miratuar nga Kuvendi për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë dhe Forumi i Grave Gjyqtare të Shqipërisë kanë publikuar një qëndrim të përbashkët, ku shprehen se do të vijojnë ndjekjen e procesit kushtetues lidhur me pagat e magjistratëve.

Shoqatat thonë se procedura parlamentare për miratimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipëris뒔 është karakterizuar, sipas vlerësimit të tyre, nga shkelje të kërkesave kushtetuese.

Në deklaratë përmenden miratimi i projektligjit përtej afatit kushtetues, mungesa e një analize financiare nga Këshilli i Ministrave, mungesa e konsultimit efektiv dhe dëgjimi formal i grupeve të interesit, si dhe hyrja e menjëhershme në fuqi e ligjit.

“Shoqatat tona mbeten të palëkundura në qëndrimin e tyre për rivendosjen e të drejtave kushtetuese të magjistratëve, të cilat janë cenuar haptazi nga ligji i miratuar në orët e mesnatës”, thuhet në deklaratë.

Organizatat bëjnë me dije se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar pezullimin e zbatimit të ligjit, shfuqizimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe shqyrtimin e çështjes me përparësi.

Sponsorizuar

Sipas tyre, ligji cenon statusin financiar të magjistratëve, të cilin e lidhin drejtpërdrejt me garantimin e pavarësisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në të njëjtën kohë, shoqatat pretendojnë se mosrespektimi i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese prek edhe parimet e shtetit të së drejtës.

Shoqatat kundërshtojnë gjithashtu mënyrën se si është paraqitur publikisht debati, duke theksuar se çështja nuk lidhet vetëm me interesa financiare.

“Çështja lidhet me respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, garantimin e pavarësisë së organeve të drejtësisë dhe mbrojtjen e themeleve të shtetit të së drejtës”, thuhet në qëndrimin e përbashkët.

Në përfundim, katër organizatat deklarojnë se kanë besim te procesi kushtetues dhe se do të përdorin çdo mjet ligjor që Kushtetuta dhe ligji u vënë në dispozicion për kundërshtimin e ligjit.m.k

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›